Nënshkrimi i koncesionit të parë për krijimin e një banke kombëtare shqiptare, 4 tetor 1913

 

Më shumë se 100 vite të shkuara, më 4 tetor 1913, në emër të qeverisë shqiptare, Ismail Qemal Bej Vlora nënshkroi koncesionin e parë për krijimin e një banke qendrore shqiptare. Nënshkrues të tjerë ishin përfaqësuesit e dy prej grupeve financiare më në zë të kohës, përkatësisht Karol Pitner dhe Oskar Pollak të atij austro-hungarez, dhe Pietro Fenolio e Guido Ansbaher të grupit italian. Në Shqipërinë e trazuar të atij fillimshekulli, por edhe për shkak të tronditjeve që do të vinin shumë shpejt me shpërthimin e Luftës I Botërore, Banka Kombëtare e Shqipërisë nuk mundi të zhvillojë aktivitet. Por, hartimi i këtij koncesioni për krijimin e "Bankës Kombëtare të Shqipërisë" mbetet një dokument i rëndësishëm në historinë e bankigut qendror shqiptar, një gur themeli i këtij institucioni që, në konceptin e vet paraqitës, i përmbahet të gjitha standardeve evropiane të kohës. Jo më kot, themeluesi i shtetit modern shqiptar, bankën kombëtare e ka cilësuar si "...e dyta fitore pas lirisë". 

Një nga kujdeset parësore të qeverisë shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemal Bej Vlora ishte mëkëmbja e një banke emetimi dhe krediti në Shqipëri, e cila ta zhvillonte veprimtarinë e saj në përputhje me normat e bankave kombëtare të shteteve evropiane. Ismail Qemali e konceptonte Bankën Kombëtare si një institucion financiar, i cili duhej të synonte në radhë të parë jo fitimin në vetvete, por zhvillimin ekonomik të vendit, kurse fitimin duhej ta realizonte nëpërmjet zhvillimit ekonomik dhe stabilizimit të shtetit të pavarur shqiptar. Krijimi i një banke të tillë paraqiste mjaft vështirësi, sidomos për faktin se Shqipëria nuk ishte njohur ende si shtet i pavarur në arenën ndërkombëtare. Por, edhe pas kësaj njohjeje më 29 korrik 1913, përsëri, mungesa e stabilitetit e bënte të pamundur krijimin e një banke me kapital themeltar shqiptar.

ismail qemali

akti i koncesise 1

akti i koncesise 2

akti i koncesise 3

Faqe të Koncesionit për krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, me nënshkrimet e Ismail Qemal bej Vlorës, pesë prej ministrave të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe përfaqësuesve të grupeve financiare italiane dhe austro-hungareze.

Më 4 tetor 1913, nga Ismail Qemal Bej Vlora u nënshkrua ai që në aktin zyrtar quhet "akt konqesie" (akt koncensioni). Kjo marrëveshje për koncesionin e ngritjes së Bankës Kombëtare të Shqipërisë me një kapital prej 10 milionë koronash ose 10,5 milionë liretash, të formuara në monedha ari, kishte një afat 60-vjeçar. Me këtë koncesion, Banka Kombëtare e Shqipërisë me kapitalin e përbashkët austro-italian, fitonte të drejtën e emetimit të kartëmonedhave, të cilat do të emërtoheshin në shqip dhe në frengjisht, me një mbulesë ari jo më pak se 1/3 e kartëmonedhave. Banka do të ishte i vetmi agjent financiar i qeverisë shqiptare si brenda dhe jashtë vendit. Vetëm ajo kishte të drejtën të tregtonte për llogarinë e qeverisë bonot e thesarit dhe letra të tjera me vlerë të qeverisë. Në marrëveshje ajo fitonte gjithashtu të drejtën të kryente disa veprime financiare: shitblerje titujsh, monedhash, metalesh të çmuara, mallrash tregtie, për llogari të vet dhe për llogari të të tjerëve etj. Ajo merrte përsipër pranimin e depozitave dhe dhënien e kredive për shoqëritë dhe ndërmarrjet tregtare, industriale, financiare e bujqësore. Banka merrte përsipër, më në fund, kryerjen e emetimit të obligacioneve të garantuara, si dhe kryerjen e veprimeve hipotekare.

Ismail Qemali ishte i bindur se Banka Kombëtare e Shqipërisë do t’i shërbente zhvillimit të ekonomisë së vendit dhe konsolidimit të Pavarësisë Kombëtare të Shqipërisë. Por vështirësitë me të cilat u ndesh Shqipëria në atë kohë nuk i krijuan mundësi praktike Bankës Kombëtare për zhvillimin e veprimtarisë së saj.

Banka Kombëtare e Shqipërisë u mbyll në qershor 1914, pa kryer ndonjë veprimtari të rëndësishme.