Dita Ndërkombëtare e Muzeve 18 Maj 2023: “Muzete, qëndrueshmëri dhe mirëqënie”. 

Programi i aktiviteteve

Si çdo vit në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, edhe këtë 18 maj, Muzeu i Bankës së Shqipërisë hapi dyert për publikun e gjerë, nga ora 9:00 deri në orën 20.00. Gjatë kësaj dite, rreth 600 vizitorë patën mundësinë që, përveç koleksionit të përhershëm e të pasur numizmatik të Muzeut dedikuar historisë së bankës dhe financave, të ndiqnin edhe disa aktivitete të veçanta dedikuar kësaj dite.

20230518 092524

• Ekspozita me foto-dokumente, me tematikë: “Banka e Napolit 85 vite më parë në dokumentet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave”. Kjo ekspozitë e organizuar nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA), i krijoi mundësinë vizitorit të njihet me një nga bankat më të hershme dhe më në zë italiane, e cila kreu funksionet si një bankë e nivelit të dytë në vendin tonë, përgjatë viteve 1937-1945.

20230518 124025

• Ekspozita “Dokumente, prova kartëmonedhash, dhe objekte të periudhës 1957-1991, fond i Muzeut të Bankës së Shqipërisë”. Për herë të parë u ekspozuan dokumente, objekte të veçanta, si dhe kartëmonedha prove të realizuara në Shtypshkronjën “13 Janari”; dokumente “Kontrata ndërkombëtare”, të cilat evidentojnë historikun e marrëdhënieve mes Bankës së Shtetit Shqiptar (BSHSH) dhe prodhuesit të kartëmonedhave kombëtare; libra të shtypit të tyre si, klishe, stampa etj. Nëpërmjet këtyre materialeve, publiku u njoh me një copëz nga puna “e padukshme” e BSHSH-së në procesin e prodhimit të kartëmonedhave kombëtare, duke parë dhe krahasuar zhvillimet e ndodhura në procesin e prodhimit të parave ndër vite.

20230518 092350

• Montazhi me filma shqiptarë të para viteve ’90: “Fuqia e parasë”. Ky montazh u përgatit nga Muzeu i Bankës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit. Duke qëndruar “besnik” të kronologjisë historike të emetimit të parasë tonë kombëtare, si dhe përmes një komunikimi interesant, e deri diku me nota humori, nëpërmjet tij u synua të sillet pranë vizitorit një panoramë interesante e përdorimit të përditshëm dhe të larmishëm të parasë. Përmes kolazhit u prezantuan godinat historike të bankës në vite, si dhe fenomene të cilat vijojnë të jenë bashkudhëtare të përdorimit të parasë, të tilla si: dëshirat, nevojat, marrëdhënia e besimit etj. 

20230518 110729

• Leksioni i hapur me temë “Edukimi për zhvillimin e Qëndrueshëm”. Në orën 18:00-20:00, në sallën e Konferencave të Bankës së Shqipërisë, u mbajt një leksion i hapur për publikun e interesuar me temë “Edukimi për zhvillimin e Qëndrueshëm”, nga Prof. Asoc. Dr. Elona Pojani, lektore pranë Departamentit të Financës, Fakulteti Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.

 DSC1791

Në mbështetje të fushatës ndërgjegjësuese të iniciuar nga ICOM, mbi mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit dhe natyrës, Muzeu i Bankës së Shqipërisë realizoi ndërthurjen e imazhit të kartëmonedhës 500 Lekë, emetim i vitit 1957, me posterin e miratuar nga ICOM, për vitin 2023.