Më 18 dhe 19 prill 2024, Muzeu i Bankës së Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Muzeumeve, Berat, organizuan ekspozitën e përbashkët fotografike “Berati në shek. XVIII-XX: Zhvillimi ekonomik dhe tregtar, koleksione të kartëmonedhave lokale të qytetit, objekte me rëndësi historike të qytetit të pasqyruara në monedhën kombëtare”, në ambientet e Muzeut Ikonografik “Onufri”, në Berat. 

Ekspozita - e kuruar me shumë kujdes nga të dy institucionet - trajtoi aspektet më të spikatura të zhvillimeve tregtare, ekonomike dhe etnografike të qytetit të Beratit, gjatë shekujve XVIII-XX dhe koleksione numizmatike, si kartëmonedhat lokale të fillimit të shekullit XX, monedha kombëtare, të cilat mbartin imazhe të monumenteve dhe objekteve të qytetit, me vlera historike dhe kulturore universale.

Kodiku i Purpurt i Beratit përbën një nga objektet më me vlerë të periudhës Mesjetare që ka trashëguar Shqipëria, një objekt me vlera të papërsëdytshme historike dhe kulturore jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë njerëzimin. Në vitin 2005 Kodiku i Purpurt i Beratit u bë pjesë e regjistrit “Kujtesa e Botës” të UNESCO. Sikurse është njohur në përshkrime e mëparshme edhe si “Beratinus Purpureus Φ 43”, ky kodik është prezantuar në monedhën 50 Lekë e vitit 2011, emetim i Bankës së Shqipërisë, e realizuar në metal argjendi.

Po ashtu edhe kjo Kala është nga të paktat në Shqipëri që vazhdon të ketë jetë intensive brenda mureve të saj, që nga antikiteti deri në ditët tona. Ky vendbanim protourban, i shekujve VII-V p.e.s. prezantohet çdo ditë, që nga viti 1996 nëpërmjet monedhës tonë kombëtare 10 Lekë, emetim i Bankës së Shqipërisë.

Ekspozita u vizitua edhe nga zj. Bora Muzhaqi, Ministër Shteti për Rininë dhe Fëmijët, e cila duke u ndalur në këndin edukativ të ekspozitës, theksoi rëndësinë e rolit të Bankës Qendrore dhe institucioneve shtetërore për edukimin financiar të brezit të ri.