Më 15 nëntor 2019, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u organizua Konferenca e Tretë e Muzeut të Bankës së Shqipërisë, me temë: “Muzetë dhe edukimi në të ardhmen”.

Në këtë konferencë ishin pjesëmarrës punonjës muzeumesh, ekspertë, kërkues në fushën e muzeologjisë dhe edukimit, për të prezantuar e diskutuar gjetjet e studimeve apo përvojat e tyre në këtë fushë, duke u fokusuar në rolin që muzetë dhe edukimi do të kenë në të ardhmen, në kulturën dhe mirëqenien e vendit.
Punimet e Konferencës III të Muzeut të Bankës së Shqipërisë u përshëndetën nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi, dhe nga Ministrja e Kulturës zj. Elva Margariti.

Ndërkohë, i ftuari i veçantë i kësaj konference, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, prezantoi aktivitetet edukative të Muzeut Historik Kombëtar, duke theksuar rolin e tij si institucion që ofron hapësirën e nevojshme për hulumtime dhe analiza historike, ndaj objektiv kryesor mbetet forcimi i rolit të tij edukues për brezat e ardhshëm.