Më datë 8 shkurt 2023, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u organizua Konferenca IV Muzeut të Bankës së Shqipërisë, me temë: “Mesjeta, pararendëse e një sistemi monetar të mirorganizuar”.

Në këtë konferencë ishin të ftuar përfaqësues nga institucionet më të rëndësishme kërkimore si Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Institutet e Arkeologjisë dhe Historisë, profesorë të Universitetit të Tiranës, si dhe punonjës muzesh, ekspertë, kërkues në fushën e muzeologjisë dhe edukimit, të cilët prezantuan dhe diskutuan gjetjet e studimeve apo përvojat e tyre në këtë fushë.

Punimet e Konferencës IV të Muzeut të Bankës së Shqipërisë u përshëndetën nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Ministrja e Kulturës, zj. Elva Margariti, dhe Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, z. Skënder Gjinushi.
Guvernatori Sejko i shprehu mirëseardhjen pjesëmarrësve në këtë aktivitet i cili rikthehet pas një ndërprerjeje dyvjeçare, si rrjedhojë e “paralizimit” global të shkaktuar nga pandemia COVID- 19.

Guvernatori theksoi se organizimi i kësaj konference është një nga aktivitetet më të rëndësishme për Muzeun e Bankës së Shqipërisë, pasi jo vetëm na ndihmon të pasurojmë dhe të vijojmë studimin e koleksioneve të ekspozuara në të, por njëherazi i shërben edhe studiuesve vendas si një platformë diskutimi dhe argumentimi për punën e tyre kërkimore.

Ai shtoi se gjatë diskutimit të punimeve të pjesëmarrësve do të mund të dëgjojmë mbi krijimin dhe funksionim e sistemeve monetare në mënyra të ndryshme të organizimit shtetëror, monedhave të tyre dhe natyrën e sistemeve financiare. “Vështrimi në histori është i rëndësishëm pasi mund të gjejmë përgjigje mbi problematika që na shqetësojnë dhe sot, si p.sh. stabiliteti i çmimeve dhe ai financiar, shprehur në mënyrë më të dukshme në qëndrueshmërinë e monedhës dhe rolin e saj në besueshmërinë e sistemit financiar.”- theksoi Guvernatori Sejko.

Ministrja e Kulturës, zj. Elva Margariti gjatë fjalës së saj vlerësoi rolin edukues të Bankës së Shqipërisë, nëpërmjet Muzeut të saj. “Muzeu i Bankës është një nga më interesantët në Shqipëri që na rrëfen një linjë të veçantë në historinë e shqiptarëve dhe paraardhësve tanë, që ka të bëjë pikërisht me raportin që ata kanë pasur me paranë.” – tha Ministrja.

Zj. Margariti shtoi se përmes numizmatikës ne kuptojmë edhe shumë elemente të tjera që lidhen jo vetëm me pushtetin ekonomik, “nënshkruar” edhe me imazhet e mbretërve apo prijësve të shquar të kohës, por edhe për jetën shoqërore në këto troje, shtrirjen territoriale, deri te simbolika dhe estetika e emetimit të tyre. Ndaj është i nevojshëm bashkëpunimi edhe me institucione të tjera të trashëgimisë kulturore, sidomos në rrafshin e edukimit të brezit të ri, që prej një monedhe mund të mësojë faqe të tëra historie.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë z. Skënder Gjinushi gjatë fjalës së tij falënderoi Guvernatorin për ftesën dhe e vlerësoi si mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin e dy institucioneve në kuadrin kërkimor dhe akademik.