Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve 2022, si çdo 18 maj, Muzeu i Bankës së Shqipërisë qëndroi i hapur për publikun përtej orarit të tij zyrtar, duke nisur nga ora 09:00 deri në orën 18:00.
Gjatë kësaj dite, përveçse koleksionit të pasur numizmatik të Muzeut të BSH-së, dhe ambienteve dedikuar historisë së bankës dhe financave, vlerës dhe rolit e parasë, publiku mundi të vizitojë dhe dy ekspozita të përkohshme, të çelura enkas për këtë ditë dhe të organizuara në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.


•    “Përpjekjet për krijimin e një banke kombëtare shqiptare, përgjatë viteve 1913-1925”
Përmes ekspozimit të dokumenteve origjinale të kohës, kjo ekspozitë synon të njohë publikun me momentet kyçe, përpjekjet, punën dhe historinë e krijimit të bankës së parë kombëtare të vendit dhe emetimit të monedhës së parë shqiptare.


•    “Dr. Pas/ Mitrush Kuteli. Figura e tij si ekonomist dhe bankier” 
Dr. Dhimitri P. Pasko (1907-1967) - i njohur ndryshe me pseudonimin e tij letrar si Mitrush Kuteli, por në fushën e ekonomisë e financave edhe si Dr. Pas - përveçse një kolos i letrave shqipe, është dhe një nga ekonomistët e bankierët më të shquar të Shqipërisë së shek. XX, veprimtaria në sektorin bankar e të cilit ende njihet pak nga publiku i gjerë.
Kjo ekspozitë synon ta njohë publikun me disa momente të rëndësishme të punës së tij gjatë viteve 1943-1946, si drejtues pranë Bankës Kombëtare të Shqipnis dhe më pas Bankës së Shtetit Shqiptar.


•    Leksion i hapur “Fuqia e Muzeve”, Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar 
Në orën 18:00-20:00, në sallën e Konferencave të Bankës së Shqipërisë do të zhvillohet leksioni i hapur për publikun e interesuar me temë “Fuqia e Muzeve”, njëkohësisht edhe tema ndërkombëtare e vitit 2022 për Ditën Ndërkombëtare të Muzeve.
Ky leksion do të prezantohet nga Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar. Leksioni do të diskutojë mbi fuqinë dhe ndikimin e muzeve në shoqëritë e sotme; si ato, përmes koleksioneve të tyre, rrëfejnë për të kaluarën tonë dhe ndikojnë në modelimin e ideve të reja, duke përbërë, në këtë mënyrë, dy tipare thelbësorë në projektimin e një të ardhmeje më të mirë.