Muzeu i Bankës së Shqipërisë organizon ciklin me leksione “Netët e Muzeut të Bankës së Shqipërisë”. Muaji tetor përkoi me përvjetorin e 84-t të inaugurimit të ndërtesës së selisë qendrore të Bankës Kombëtare të Shqipnis (1938), si dhe 7-vjetorin e inaugurimit të ndërtesës së rikonstruktuar dhe të çeljes së Muzeut të Bankës së Shqipërisë (2015). Në këtë kuadër, gjatë këtij muaji, Muzeu i Bankës së Shqipërisë zhvilloi tre leksione pjesë të ciklit "Netët e Muzeut":


1.    Në datën 6 tetor 2022, u zhvillua leksioni i parë me lektor Dr. Gjon Boriçi, studiues i Institutit të Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA), Departamenti i Historisë Bashkëkohore. Dr. Boriçi prezantoi temën “Marrëdhëniet ekonomike Shqipëri – Kinё, kreditë e akorduara për Shqipërinë nga vendi gjigant aziatik, si dhe perspektiva e këtyre marrëdhënieve”. Leksioni përfshinte veprimet lidhur me ndihmat ekonomike dhe kreditë që iu akorduan Shqipërisë në harkun kohor prej 24 vitesh (1954-1978), nga Republika Popullore e Kinës, të cilat kanë qenë jetike për mbajtjen gjallë tё regjimit komunist në Shqipëri.


2.    Në datën 13 tetor 2022 u mbajt leksioni nga z. Bajram Peçi, botues dhe koleksionist i filatelisë e numizmatikës, aktualisht kryeredaktor i revistës “Koleksionisti”, organ shtypi i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë. Z. Peçi prezantoi temën "Venediku, monedhat me emërtimin “DALMATIA ET ALBANIA” dhe medaljet e republikës për Skënderbeun”.


3.    Në datën 31 tetor 2022, u zhvillua leksioni i tretë, me lektor z. Artan Lame, publicist, koleksionist i mirënjohur i numizmatikës dhe medalistikës shqiptare e osmane, nënkryetar i Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë, studiues i historisë shqiptare, si dhe aktivist i shoqërisë civile për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare. Z. Lame prezantoi temën “Qarkullimi i monedhës osmane në territoret shqiptare nga Reforma e Tanzimatit deri në fillimet e shek. XX”. Tema e leksionit erdhi në vijim të asaj të trajtuar nga z. Lame në “Netët e Muzeut” në vitin 2017, për këtë arsye prezantimi nisi me një përmbledhje të historisë së “Monetimit në trojet shqiptare gjatë Periudhës Osmane”, duke kaluar gradualisht në monetimin e periudhës së viteve 1839-1876, gjatë dy reformave të Tanzimatit.