Data 7 maj 2018 shënoi mbylljen me sukses të seminarit njëjavor “Monedhat antike që nga shfaqja e tyre (fillimi i shek. VII p.e.s.) deri në fundin e Perandorisë Romake (fundi i shek. V e.s.)”, me lektore Dr. Albana Meta, numizmate pranë Institutit të Arkeologjisë.
Në këtë seminar të organizuar nga Muzeu i Bankës së Shqipërisë, morën pjesë rreth 30 persona, përfshirë studiues, koleksionistë dhe studentë të Universitetit të Tiranës. Seminari, i ideuar për fillestarët në degën e numizmatikës, i pajisi pjesëmarrësit me njohuri të përgjithshme mbi botën paramonetare, ekonominë antike, monedhat e qyteteve ilire, monedhat perandorake romake dhe perandorake republikane. Në ditën e fundit të seminarit, pjesëmarrësit u prezantuan edhe me ushtrime praktike mbi mënyrën se si studiohen vulat, si ndërtohet një korpus monetar, si studiohen, datohen, restaurohen dhe konservohen monedhat antike. 
Në përfundim të seminarit, pjesëmarrësve iu shpërndanë certifikata pjesëmarrjeje.