BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit Sejko në Konferencën e Nivelit të Lartë “Financa e Gjelbër në Evropën Juglindore: Zhvillimi i Kapaciteteve dhe një Taksonomi”

Data e publikimit: 22.06.2023

 

Të nderuar zonja e zotërinj,

Zonja Ministre,

Kolegë të nderuar,

Mirë se vini në Konferencën e Nivelit të Lartë “Financa e Gjelbër në Evropën Juglindore: Zhvillimi i Kapaciteteve dhe një Taksonomi”.

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj CEF-it (Center of Excellence in Finance/Qendra e Ekselencës në Financë) për organizimin e kësaj konference dhe krijimin e mundësisë për të rrahur mendimet tona mbi një çështje të një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen e planetit tonë. CEF-i ka qenë një partner i fortë dhe i besueshëm për ne, me të cilin do të vazhdojmë të bashkëpunojmë për të ndërtuar politika që garantojnë stabilitetin makroekonomik dhe financiar. Përmes aktiviteteve të tij, CEF-i kontribuon në arritjen e qëllimeve të Agjendës 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm, duke promovuar institucione efektive, të përgjegjshme dhe të përfshira në të gjitha nivelet.

498-9851

Jemi të vetëdijshëm se ndryshimet klimatike përbëjnë një kërcënim serioz për mirëqenien e njerëzve dhe shëndetin e planetit tonë. Këto rreziqe, qofshin ato fizike - për shkak të ngjarjeve ekstreme të motit - ose kalimtare, janë komplekse për t'u kuptuar dhe vlerësuar. Ky kompleksitet thellohet në mungesë të një gjuhe ose taksonomie të përbashkët, si dhe të të dhënave të mjaftueshme dhe modeleve empirike e metodave për të vlerësuar këto rreziqe, natyra e të cilave është e sigurt, por shtrirja dhe ndikimet e tyre në sektorin financiar mbeten të përcaktuara e të vlerësuara në mënyrë të dobët.

498-0132

Ndërgjegjësimi global për t’i bërë ballë rritjes së rreziqeve po rritet. Në vitin 2015, shtetet nënshkruese të Marrëveshjes së Parisit premtuan që do të zvogëlonin emetimet e gazrave të efektit serë, ndërsa më pas Bashkimi Evropian vendosi synimin ambicioz për të qenë kontinenti i parë me një qasje neutrale ndaj klimës deri në vitin 2050. Sektori financiar luan padyshim një rol të rëndësishëm në arritjen e këtij synimi, jo vetëm përmes përzgjedhjes e financimit të projekteve të gjelbra, por edhe duke ruajtur ekuilibrin e kërkesë-ofertës në tregje. Në të njëjtën kohë, sektori financiar është veçanërisht i ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshimit të klimës.

498-0172

Institucionet publike në BE dhe Sistemi Evropian i Bankave Qendrore janë pionierë në formimin e mjedisit rregullator global dhe kanë adoptuar disa prej praktikave më të mira që vazhdojnë të evoluojnë. Shembujt e tyre janë frymëzues për institucionet dhe bankat e tjera qendrore të ekonomive të zhvilluara dhe në zhvillim.

498-0102

Të kuptuarit e çështjes së ndryshimeve klimatike nga këndvështrimi i bankave qendrore dhe mbikëqyrësve përfshin edhe ndryshimet strukturore që do të ndikojnë sistemin financiar dhe në ekonominë në përgjithësi. Këto ndryshime do të na sfidojnë në kryerjen e misioneve tona themelore, qoftë në lidhje me stabilitetin e çmimeve, stabilitetin financiar apo përfshirjen financiare. Në Evropën Juglindore, institucionet tona financiare janë në fazat fillestare të zhvillimit të një perspektive strategjike dhe implementimit të hapave të parë për financën e gjelbër. Ndërsa kapacitetet dhe taksonomia në financën e gjelbër po zhvillohen shpejt, ende ka shumë boshllëqe që kërkojnë koordinim të kujdesshëm, përshtatje të herpashershme dhe mësim të vazhdueshëm.

498-9821

Zonja dhe zotërinj,

Ndryshimet klimatike janë një realitet i pamohueshëm, dhe pavarësisht se Shqipëria kontribuon në mënyrë të kufizuar në emetimet globale të gazrave të efektit serë, pasojat e tyre kanë filluar të japin efektin e tyre edhe në vendin tonë. Duke filluar nga bizneset e mëdha, te familjet e thjeshta, ndryshimet klimatike po sfidojnë ekonominë tonë në të gjitha nivelet, duke prekur të gjithë aktorët ekonomikë, në të gjithë sektorët dhe në të gjithë territorin e vendit. Kjo sfidë e madhe kërkon një përgjigje të përbashkët dhe të koordinuar nga të gjithë aktorët e ekonomisë, duke përfshirë edhe Bankën e Shqipërisë.

498-9797

Sektori financiar luan një rol kyç në lidhje me ndryshimet klimatike, të cilat kanë një kosto të lartë, dhe janë shumëplanëshe. Ato janë një burim rreziku për institucionet financiare, por nga ana tjetër, nuk ka zhvillim të qëndrueshëm pa financim të qëndrueshëm dhe këtu sektori bankar mund të luajë një rol udhëheqës për kompanitë në Shqipëri. Kjo do të thotë jo vetëm "kanalizim të fondeve", por edhe "edukim të klientëve" për të zhvilluar modele biznesi dhe investimi më miqësore ndaj mjedisit dhe më të qëndrueshme ndaj rreziqeve mjedisore e klimatike.

498-0337

Si një institucion publik, Banka e Shqipërisë është e përkushtuar për të kuptuar dhe trajtuar pasojat ekonomike dhe financiare të ndryshimeve klimatike dhe kalimin në një ekonomi me emetim neto zero. Ne po punojmë për të përshtatur kuadrin regullativ dhe politikat tona me këto ndryshime. Ndarja e njohurive, praktikave, diskutimet, trajnimi i stafit dhe edukimi i publikut, janë të rëndësishëm në këtë proces dhe Banka e Shqipërisë do të vazhdojë t’i dedikojë burime të mjaftueshme studimit dhe modelimit të efekteve të klimës në stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar.

498-0387

Këto vitet e fundit kemi ndërmarrë hapa konkretë për të adresuar çështjet e ndryshimeve klimatike dhe për të promovuar financat e gjelbra. Që prej vitit 2018, kemi nisur një proces të gjerë modernizimi dhe digjitalizimi të tregut të pagesave, me qëllim jo vetëm nxitjen e përfshirjes financiare dhe përdorimit të pagesave elektronike në ekonominë shqiptare, por edhe kontributin në financën e gjelbër. Kemi zgjeruar kapacitetet tona analitike në fushën e ndryshimit të klimës. Gjithashtu, kemi kontribuuar në prodhimin e analizave dhe hulumtimeve mbi rreziqet e lidhura me klimën. Në Strategjinë tonë Afatmesme për vitet 2022-2024, kemi vendosur të monitorojmë rreziqet klimatike ndaj mjedisit ekonomik dhe financiar, ku operon Banka e Shqipërisë. Gjithashtu, kemi bashkëpunuar me Bankën Botërore në hartimin e një strategjie të gjelbër shumëvjeçare, e cila u miratua në muajin maj nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.

Si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, vlerësoj rëndësinë e diskutimit, bashkëpunimit dhe mbështetjes në nivel ndërkombëtar për të adresuar sfidat që paraqesin ndryshimet klimatike dhe tranzicioni drejt një ekonomie të qëndrueshme. Për këtë arsye, ne kemi zhvilluar partneritete të shumta kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, për të vlerësuar dhe menaxhuar ndikimin ekonomik dhe financiar të ndryshimeve klimatike. Në këtë kontekst, vlerësoj bashkëpunimin tonë me CEF-in, anëtarësimin tonë në NGFS (Network for Greening the Financial System) që nga viti 2020, si dhe bashkëpunimet tona të ndryshme me Sekretariatin Shtetëror për Çështjet Ekonomike të Qeverisë Zvicerane (SECO), Iniciativën e Vjenës, Bankën Botërore (FinSAC), dhe shumë të tjerë.

 

Zonja dhe zotërinj,

Kohët e fundit, sfidat me të cilat jemi përballur janë të shumta, komplekse dhe shumëdimensionale, shpesh të ndërvarura prej njëra-tjetrës. Jam i vetëdijshëm që ndryshimi nuk do të ndodhë brenda një nate, por le të jemi optimistë. Sot, duke e nisur këtë Konferencë të Nivelit të Lartë, dua të theksoj rëndësinë e financës së gjelbër jo vetëm si një përgjigje ndaj sfidës globale të ndryshimit të klimës, por edhe si një mjet për të garantuar stabilitetin makroekonomik dhe financiar.

Një gjë është e sigurt: kostot apo dëmi që do të shkaktojë mosveprimi do të jenë shumë më të mëdha se kostot që do të vijnë nga marrja e masave për të minimizuar rreziqet e ardhshme. Prandaj, ne kemi nevojë për politika të fuqishme, për bashkëpunim dhe inovacion. Duke punuar së bashku, mund të shkëmbejmë eksperiencat dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë dhe të qëndrueshme për të gjithë. Sistemi financiar luan një rol të rëndësishëm në këtë proces.

Me përgjegjësi ndaj brezave të ardhshëm, le të angazhohemi sot për të pasur një ndikim pozitiv në të ardhmen e vendit dhe planetit tonë. Mos harroni se e ardhmja do të marrë formën e asaj që zgjedhim të financojmë sot.

Faleminderit për vëmendjen tuaj!