BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko takim mirëseardhjeje me Ambasadorin e Italisë në Shqipëri, SH.T.Z. Fabrizio Bucci

Data e publikimit: 13.02.2020

 

Më 13 shkurt 2020, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim zyrtar me Ambasadorin e ri të Italisë në Shqipëri, SH.T.Z. Fabrizio Bucci, në ambientet e Bankës së Shqipërisë. Bisedat u përqendruan kryesisht në ecurinë e ekonomisë dhe sistemit bankar shqiptar, promovimin e potencialeve të Shqipërisë, në marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, si dhe në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko e njohu Shkëlqesinë e tij Ambasadorin Bucci me zhvillimet financiare në vend, ku u shpreh se sistemi bankar shqiptar është likuid, i kapitalizuar dhe me tregues të mirë rentabiliteti. Edhe treguesit kryesorë të shëndetit të sektorit bankar paraqiten në përmirësim, ku mund të veçohet raporti i kredive me probleme, i cili zbriti në nivelin historik prej 8.4% në muajin dhjetor 2019.

DSC 4831 498

Duke u ndalur tek ecuria ekonomike e vendit, Guvernatori Sejko theksoi se ritmi i rritjes ka vijuar të jetë pozitiv, punësimi është rritur, ekuilibrat e brendshëm dhe të jashtëm të vendit janë forcuar. Banka e Shqipërisë ka dhënë kontributin e nevojshëm nëpërmjet politikës monetare lehtësuese në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit makroekonomik të vendit.

Në vijim, Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë mbetet një institucion plotësisht i angazhuar me përafrimin e kuadrit të saj ligjor, rregullator dhe operacional, me atë të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, si dhe në përmbushjen e prioriteteve që do të rrjedhin nga hapat e mëtejshëm të procesit të integrimit evropian.

Nga ana e tij, Ambasadori i Italisë vlerësoi Bankën e Shqipërisë si një nga institucionet kryesore në vend. Ai theksoi rëndësinë e projekteve të përbashkëta të Bankës së Shqipërisë me Bankën e Italisë dhe me Bankën Qendrore Evropiane, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale si dhe kontributin në përafrimin e standardeve evropiane dhe përshpejtimin e procesit të integrimit.

DSC 4835 498

Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se këto negociata duhet të shërbejnë si një faktor zhvillimi dhe si një garanci shtesë për investitorët vendas e të huaj në të ardhmen. Një tjetër pikë ku ata u ndalën ishte dhe vazhdimi e thellimi i mëtejshëm i reformave strukturore, si një faktor tejet i rëndësishëm për zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të vendit.

Ambasadori i Italisë SH.T.Z. Fabrizio Bucci nënvizoi gjithashtu rolin e remitancave dhe rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve në funksion të rritjes së investimeve të huaja në Shqipëri. 

Guvernatori Sejko përshëndeti bashkëpunimin e suksesshëm midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Italisë, projektet e përbashkëta të zhvilluara deri tani dhe veçanërisht për zbatimin e projektit aktual të binjakëzimit “Forcimi i kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë në kuadër të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian”, të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA II).