BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Zhvillimet e fundit në treguesin e inflacionit dhe ecuria e pritshme e çmimeve në muajin dhjetor

Data e publikimit: 26.11.2002

 

Sipas traditës dhe rregullores së Trasparencës së Bankës së Shqipërisë mbaj këtë konferencë për shtyp për të trajtuar zhvillimet kryesore në çmimet e konsumit gjatë vitit 2002, faktorët që ndikuan në to, qofshin këta të zakonshëm ose të paparashikuar si dhe pritshmërinë për ecurinë e mëtejshme të çmimeve.

Objektivi i Bankës së Shqipërisë i përcaktuar për vitin 2002 ishte mbajtja e normës së inflacionit në fund të vitit brenda intervalit 2 deri në 4 për qind. Ky objektiv përfaqëson një synim afatmesëm të Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, faktorët që ndikuan në ecurinë e çmimeve të konsumit gjatë gjithë vitit 2002 ushtruan presion për rritje të inflacionit dhe për pasojë kanë vështirësuar shkallën e përmbushjes së këtij objektivi. Muaji dhjetor gjithnjë është shfaqur me mjaft surpriza të pakëndshme në drejtim të nivelit të çmimeve të konsumit, efekti negativ i të cilave shumëfishohet si pasojë e veprimeve spekulative në treg. Gjithësesi, Banka e Shqipërisë në përputhje me pritshmëritë e saj (pa ndonjë zhvillim surprizë), vlerëson se niveli i inflacionit në fund të vitit 2002, do të jetë rreth 4 për qind, afër kufirit të sipërm të intervalit objektiv.

Faktorët që kanë ndikuar gjatë vitit 2002 kanë qenë me veprim të dyfishtë: nga kahu i ofertës dhe i kërkesës. Ky dallim bëhet pasi në bazë të natyrës së faktorit që ndikon, përcaktohet nëse duhet të reagohet me vendime të politikës monetare apo jo. Si rregull i përgjthshëm, politika monetare është aktive në drejtim të ndryshimit të normës së interesit, nëse vëren që faktorët apo presionet vijnë nga kahu i kërkesës: më shumë para në qarkullim, nënçmim i monedhës së vendit etj.. Nëse faktorët janë të krahut të ofertës, për shembull rritje apo liberalizim i çmimeve të administruara, ata përfaqësojnë goditje të cilat edhe pse shkaktojnë rritje të inflacionit, gjykohet se ndikimi i tyre është i njëhershëm pa fuqi prapavepruese në periudhat që pasojnë. Ndaj ndryshimeve të tilla të çmimeve, si rregull politika monetare nuk duhet të reagojë.

Lexo fjalën e plotë të Guvernatorit.