BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 2 gusht 2023

Data e publikimit: 02.08.2023

 

Në mbledhjen e datës 2 gusht 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 3.00%, dhe normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të mbeten përkatësisht në nivelet 2.00% dhe 4.00%. Përveç këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe vendosi:

  • Disa ndryshime në rregulloret “Për mjaftueshmërinë e kapitalit” dhe “Për mbikëqyrjen e konsoliduar”

Këto ndryshime synojnë rishikimin e formularëve të raportimit të bankave, që shërbejnë për llogaritjen e kërkesave për kapital (COREP), si mbi baza individuale, ashtu edhe të konsoliduara. Ndryshimet e rregullores “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit” konsistojnë në rishikimin e formularëve të raportimit mbi baza individuale, të parashikuar në aneksin 7 të rregullores, në lidhje me kërkesat për kapital për rrezikun e kredisë dhe rrezikun e tregut dhe ekspozimet në titullzime, si dhe me udhëzuesit metodologjikë për plotësimin e këtyre formularëve. Këto ndryshime janë reflektuar në mënyrë të njëjtë edhe në formularët e raportimit COREP mbi baza të konsoliduara, të parashikuar në aneksin 3 të rregullores “Për mbikëqyrjen e konsoliduar”.

  • Shfuqizimin e rregullores “Mbi llogaritjen e normave fikse të interesit në tregun ndërbankar të parasë”

Në bazë të këtij vendimi, Banka e Shqipërisë do të ndërpresë përllogaritjen dhe publikimin e normave TRIBID/TRIBOR pas datës 31.7.2024, për shkak se këto norma përllogariten bazuar në kuotimet e bankave dhe jo në veprime konkrete të tregut ndërbankar.
Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës u njoh me informacione të tjera lidhur me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.