BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 4 tetor 2023

Data e publikimit: 04.10.2023

 

Në mbledhjen e datës 4 tetor 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 3.00%, dhe normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të mbeten përkatësisht në nivelet 2.00% dhe 4.00%. Përveç këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe vendosi:

  • Miratimin e rregullores “Për raportimin e të dhënave, identifikimin dhe monitorimin e treguesve mbi kredidhënien dhe investimet për prona të paluajtshme”

 DSC0769 498

Kjo rregullore formalizon, standardizon si dhe zgjeron të dhënat që mblidhen nga subjektet kredidhënëse (fillimisht bankat tregtare) lidhur me treguesit e standardeve që ato përdorin për ekspozimin ndaj pronave të paluajtshme (rezidenciale dhe tregtare). Njëherazi, rregullorja ofron mundësinë që Banka e Shqipërisë të përdorë këta tregues si instrumente të politikës makroprudenciale, kur është e nevojshme për të zbutur rreziqet që shoqërojnë këto ekspozime nëse vlerësohen në nivele të larta. Rregullorja përafron standardin që përdoret për këtë qëllim me atë të Bashkimit Evropian. 

 DSC0759 498

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera mbi aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.