BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 6 prill 2022

Data e publikimit: 06.04.2022

 

Në mbledhjen e datës 6 prill 2022, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Emërimin e Zëvendësguvernatorit të Dytë të Bankës së Shqipërisë

Në mbështetje të nenit 44 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë, i ndryshuar, me propozimin e Guvernatorit, Këshilli Mbikëqyrës rizgjodhi zj. Natasha Ahmetaj në funksionin e Zëvendësguvernatorit të Dytë të Bankës së Shqipërisë.

 

 DSC6607 copy 498

  • Miratimin e Deklaratës dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë 2021

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji "Për Bankën e Shqipërisë".

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2021, veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Depozitat dhe kreditë u rritën me ritme të shpejta, cilësia e kredisë vijoi përmirësimin dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Në tërësi, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve u paraqit i kontrolluar. Zhvillimet ekonomike përgjatë vitit 2021 ishin mjaft pozitive, ndonëse rritja ekonomike, ulja e normës së papunësisë dhe goditjet nga krahu i ofertës, u shoqëruan me rritje të presioneve inflacioniste në fund të periudhës. Agresioni ushtarak në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë, kanë ashpërsuar më tej problemet globale me zinxhirët e prodhimit dhe ofertën, duke ndikuar në rritjen e mëtejshme të çmimit të naftës e gazit, të drithërave dhe të metaleve. Projeksionet e reja sugjerojnë presione të qëndrueshme inflacioniste në afat të shkurtër, të cilat mund të shoqërohen me rritje të kostove të prodhimit, rënie të konsumit dhe të investimeve, pra me ngadalësim të rritjes ekonomike. Reagimi i politikave ekonomike dhe financiare për të zbutur këtë goditje, vlerësohet i përshtatshëm në kushtet kur pasiguritë rreth zhvillimeve gjeopolitike dhe situatës energjitike, janë të konsiderueshme. Ekspozimi i drejtpërdrejt i sektorit bankar ndaj vendeve në konfliktin e mësipërm, është i vogël dhe nuk do të ndikojë në treguesit e qëndrueshmërisë financiare të veprimtarisë. Ekspozimi i tërthortë përcaktohet nga ecuria e ekonomisë, qëndrueshmëria makroekonomike dhe performanca e huamarrësve. Këto zhvillime evidentojnë nevojën që politikat ekonomike dhe financiare të ruajnë elementët e fleksibilitetit për të reaguar në linjë me dinamikën e zhvillimeve. Si edhe më parë, për sektorin bankar mbetet aktuale rëndësia e vlerësimit të rregullt të shkallës së ekspozimit ndaj rreziqeve te reja dhe e ruajtjes së një qëndrimi proaktiv në drejtim të marrjes së masave për zbutjen dhe përballimin e tyre. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe kontribuar në stabilitetin e sistemit financiar.

Raporti do të publikohet i plotë në ditët në vijim, në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë http://www.bankofalbania.org/.

 DSC6520 498

  • Disa ndryshime në rregulloren “Mbi parimet bazë të drejtimit të bankave dhe degëve të bankave të huaja dhe kriteret për miratimin e administratorëve të tyre”.

Ndryshimet synojnë përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit rregullativ dhe mbikëqyrës të drejtimit të përgjegjshëm dhe efektiv të bankave. Me qëllim sigurimin e zbatimit efektiv të kërkesave të rregullores në fuqi, bankat gjithashtu do të konsiderojnë edhe parashikimet e udhëzuesit të ri “Mbi drejtimin e brendshëm dhe efektiv të bankave”, i cili do të publikohet nga Departamenti i Mbikëqyrjes në faqen zyrtare të internetit të Bankës së Shqipërisë. 

Ndryshimet në rregulloren në fuqi dhe parashikimet në udhëzuesin e ri, sigurojnë detajimin e kërkesave dhe rregullave bazë për përmirësimin e drejtimit të brendshëm dhe efektiv në bankat dhe degët e bankave të huaja, nëpërmjet ngritjes së strukturave të duhura, përshtatshmërisë individuale dhe kolektive të anëtarëve të organeve drejtuese, hartimit të politikave (përfshirë dhe politikat e shpërblimit), krijimit të komiteteve dhe përcaktimit të roleve dhe përgjegjësive për secilin komitet, krijimin e kulturës së drejtimit dhe kulturës së rrezikut, si dhe krijimin e një kuadri të duhur të oreksit/tolerancës ndaj rrezikut, etj.

Ndryshimet sigurojnë përshtatshmërinë me kërkesat e parashikuara në udhëzuesit e Autoritetit Bankar Evropian, të Bordit të Stabilitetit Financiar, të Korporatës Ndërkombëtare Financiare, etj. lidhur me drejtimin e brendshëm të institucioneve të kreditit.

  • Zgjedhjen e London School of Economics, Institute of Global Affairs si bashkëpunëtor të jashtëm të Bankës së Shqipërisë

Në bazë të këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës miratoi përzgjedhjen e London School of Economics (LSE) si bashkëpunëtor i jashtëm shkencor i Bankës së Shqipërisë. LSE renditet në 10 universitetet më të mira në botë në fushat e shkencës se ekonomisë dhe ekonometrisë, politika sociale dhe administrimi, dhe studimet e zhvillimit ekonomik. Përzgjedhja e LSE si bashkëpunëtor i jashtëm shkencor ka si qëllim organizimin e veprimtarive për studimin, analizimin dhe diskutimin e fenomeneve ekonomike e financiare që dominojnë zhvillimet në ekonominë tonë në aspektin rajonal dhe atë global.

Ky bashkëpunim do të synojë rritjen e kapaciteteve analizuese dhe kërkimore të Bankës së Shqipërisë, thellimin e njohurive mbi zhvillimet politiko-ekonomike e financiare, si dhe mbi sfidat me të cilat përballet Shqipëria dhe rajoni i Evropës Juglindore në këto aspekte. Analizat dhe diskutimet që do të dalin nga ky bashkëpunim do të shërbejnë për të vlerësuar përshtatshmërinë e politikave makroekonomike e financiare, të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera mbi aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.