BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Çelet Java Globale e Parasë

Data e publikimit: 14.03.2016

 

Në datë 14 mars 2016, në ambientet përpara Bankës së Shqipërisë, u çel Java Globale e Parasë për vitin 2016, e cila do të zhvillohet në datat 14-20 mars 2016.

Gjatë kësaj jave, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, do të organizojnë aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese për fëmijë dhe të rinj si: seminare, leksione, konkurse shkollore dhe televizive, vizita në Muzeun e Bankës së Shqipërisë, vizita në banka tregtare, si dhe orë të hapura mësimore.

Në aktivitetin çelës të Javës Globale të Parasë 2016 qenë të pranishëm Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, zj. Lindita Nikolla, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi dhe Zëvendëskryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Gazmend Kadriu. 

Image Gallery

 

 

 

 

 

Në fjalën e tij përshëndetëse, Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë e edukimit ekonomik dhe financiar të brezit të ri, i cili ndihmon fëmijët dhe të rinjtë të ndërgjegjësohen mbi të drejtat e tyre financiare, lehtëson aksesin në shërbimet financiare dhe zhvillon aftësitë në këtë fushë. Ai nënvizoi gjithashtu edhe angazhimin serioz të Bankës së Shqipërisë në edukimin financiar, përmes zbatimit të programeve edukative dhe hartimit të teksteve mësimore dedikuar arsimit fillor dhe atij të mesëm. Roli edukativ i institucionit është rritur më tej nëpërmjet çeljes së Muzeut të Bankës së Shqipërisë, ku vizitorët e vegjël dhe të rinj përveç përftimit të informacionit numizmatik dhe historik, mund të mësojnë dhe të edukohen mbi financat dhe miradministrimin e tyre. 

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, zj. Lindita Nikolla në fjalën e saj, nënvizoi rëndësinë e forcimit të edukimit ekonomik, financiar dhe edukimit për sipërmarrjen në sistemin arsimor, si një instrument efikas për nxitjen e sipërmarrjes private në Shqipëri. Ajo u shpreh se MAS udhëhiqet nga vizioni se njohuritë për ekonominë që në moshë të re do të rrisin potencialin real për impulse dhe energji të reja në ekonomi.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë z. Blendi Klosi, nëpërmjet fjalës së tij përçoi mesazhin se krijimi i një kulture kursimi në shoqërinë shqiptare do të ndikojë në rritjen e mirëqenies sociale dhe kontributeve ndaj shtresave në nevojë.

Zëvendëskryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Gazmend Kadriu, theksoi rëndësinë e edukimit financiar jo vetëm për konsumatorët ekzistues të bankave por edhe për ata potencialë, që në moshë të vogël. Për këtë, sistemi bankar është angazhuar përmes përgatitjes së materialeve edukuese, si pjesë edhe e politikave të përgjegjësisë sociale korporative.

Aktiviteti i parë i Javës iu dedikua fëmijëve. Në hapësirën pranë ndërtesës së Bankës së Shqipërisë në Tiranë u zhvilluan veprimtari artistike dhe lojëra edukuese përmes të cilave synohet të ushqehet tek fëmijët ndjenja e kujdesit për paranë, dëshira për të kryer llogari të thjeshta dhe nevoja për kursim si mjet për të përmbushur detyrimet dhe dëshirat e përditshme dhe ato afatgjata.

Java Globale e Parasë është një festë ndërkombëtare mbi ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe të rinjve për paranë, e cila zhvillohet në mbarë botën gjatë javës së dytë të muajit mars. Këtë vit pritet që bankat qendrore, agjencitë shtetërore dhe institucionet financiare të organizojnë veprimtari të ndryshme në këtë kuadër në më shumë se 100 vende të botës dhe të përfshijnë në to rreth 7 milionë fëmijë dhe të rinj.