BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Java e Parasë 2022, 21-27 mars 2022, “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”

Data e publikimit: 16.03.2022

 

Në datat 21-27 mars 2022, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave do të kremtojnë Javën e Parasë 2022, nën sloganin “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”.

Prej më shumë se 10 vitesh, Banka e Shqipërisë është bërë pjesë e kësaj lëvizjeje ndërkombëtare, duke organizuar përgjatë çdo fund marsi aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese për nxënës të arsimit parauniversitar dhe studentë universitarë. Kjo javë është një nismë ndërkombëtare e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), e cila synon ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të përgjegjshëm financiarisht në të ardhmen. Aktivitetet edukative do të synojnë t’i përfshijnë fëmijët dhe të rinjtë, duke u mësuar si të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si të mendojnë financiarisht apo si t’i kuptojnë ndryshimet në sistemet ekonomike ku jetojnë, si të fitojnë të ardhura nëpërmjet sipërmarrjes dhe të vendosin bazat për të ardhmen e tyre nëpërmjet kulturës financiare.

Ceremonia kremtuese e Javës së Parasë do të organizohet në ambientet e Muzeut të Bankës së Shqipërisë, ditën e enjte, më 24 mars, ora 11.00. Gjatë kësaj ceremonie, ku do marrin pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, por edhe drejtues të lartë të bankave tregtare, do të shpërndahen edhe çmimet për fituesit e konkurseve të mëposhtme:

  1. Konkurs për nxënësit e klasave III-IV me vizatime “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”
  2. Konkurs për nxënësit e klasave IX me fotomontazhe (meme) “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”
  3. Konkursi  për nxënësit e shkollave të mesme “Videoja më e mirë” me temë “Tregohu i zgjuar me paranë, ndërto të ardhmen tënde!”
  4. Sfida e Javës: 7 pyetje mbi paranë dhe bankat për gjimnazistët
  5. Konkursi i esesë më të mirë me temë “Banka digjitale dhe ndikimi i saj në rritjen e përfshirjes financiare”