BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala përshëndetëse e Guvernatorit Sejko në 5 vjetorin e OTP Bank Albania

Data e publikimit: 27.03.2024

 

Sot kam kënaqësinë të uroj drejtuesit dhe kolegët e bankës OTP në përvjetorin e 5-të të prezencës në Shqipëri, si dhe t’i përgëzoj ata për rrugëtimin e gjatë, sfidues dhe të suksesshëm të bankës që nga krijimi i saj, më tepër se 20 vite më parë.

 DSC3705 498

Në vitin 2019, grupi OTP materializoi interesin e hershëm për të qenë pjesë e tregut shqiptar, në një kohë kur grupe të tjera bankare evropiane nuk e shihnin më me të njëjtin interes këtë treg. Me një filozofi qeverisjeje integruese dhe mendjehapur, ata shfrytëzuan maksimalisht kapitalin njerëzor të trashëguar nga bankat paraardhëse.

Edhe pse vitet 2019 – 2021 ofruan kushte aspak të lehta për të bërë biznes - aq më tepër për një lojtar të ri që sapo hyn në treg - me vizionin e kujdesshëm dhe mbështetjen e vazhdueshme nga një grup bankar tashmë i konsoliduar, OTP-ja tejkaloi në mënyrë të shkëlqyer sfidat me të cilat u përball. Kjo përballje nuk e zbehu aspak ambicien e deklaruar që në krye të herës për të qenë një nga lojtarët kryesorë të tregut në Shqipëri.

 DSC3629 498 copy

Dhe në vitin 2022, kjo ambicie u materializua me blerjen e Alpha Bank, duke e pozicionuar në mënyrë të qëndrueshme OTP-në si një nga 5 bankat e rëndësishme sistemike në Shqipëri.

Rolin e bankës sistemike ajo vijon të luajë me përgjegjësi, duke mbështetur bizneset dhe qytetarët në përmbushjen e nevojave të tyre për shërbime bankare e financiare. Ajo sot renditet e treta për madhësinë e portofolit të kredisë, ndërsa rrjeti i degëve dhe agjencive është i shtrirë në të gjithë vendin.

Gjatë 5 viteve të aktivitetit të saj, nën emrin OTP janë dyfishuar portofolet e kredive dhe të depozitave, duke reflektuar besimin e publikut dhe seriozitetin e saj në marrëdhëniet me klientët. Tregues i qëndrueshmërisë dhe vizionit afatgjatë për zhvillimin e aktivitetit në Shqipëri është edhe investimi i konsiderueshëm për ambientet e reja të selisë qendrore të bankës.   

 DSC3583 498

Me besimin që banka OTP do të vijojë të kontribuojë në mbështetjen e iniciativave të Bankës së Shqipërisë dhe të rritjes ekonomike të vendit, duke shërbyer njëkohësisht si një ”urë” për investimet dhe eksperiencat bashkëkohore evropiane, Ju uroj përvjetorin dhe suksese të mëtejshme!