BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Fullani merr pjesë në takimin e radhës të organizuar nga Presidenca Spanjolle e Bashkimit Evropian

Data e publikimit: 18.03.2010

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani mori pjesë dje, në datë 17 mars 2010, në takimin e organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Spanjës, vend ky i cili këtë gjashtëmujor mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian (BE).

Ky është një takim që ambasadat e vendeve që mbajnë presidencën e BE-së organizojnë me Shqipërinë, si një vend kandidat potencial për anëtarësimin në BE, për t’u njohur me ecurinë e Shqipërisë sipas termave ekonomikë të anëtarësimit.

takim ne ambasaden spanjolle mars 2010 3160 0

Në takimin e djeshëm, merrnin pjesë Zëvendësambasadori spanjoll, z. Juan Merino, atasheu ekonomik i kësaj ambasade, z. Pedro de Torres, si dhe atashe të tjerë ekonomikë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Në fjalën e tij të mbajtur me këtë rast, Guvernatori Fullani bërë një ekspoze të zhvillimeve makroekonomike në Shqipëri si dhe të politikave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë.

Guvernatori Fullani u shpreh se Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë të kujdesshme monetare gjatë kësaj periudhe. Sipas Guvernatorit, Banka e Shqipërisë ka rritur stimulin monetar në ekonomi, pa cënuar stabilitetin makroekonomik të vendit, i cili ka qenë në qendër të politikës së saj.