BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko merr pjesë në Forumin “Mbi shkëmbimet tregtare dhe investimet Hong Kong – Shqipëri”

Data e publikimit: 29.10.2015

 

Në datat 27-28 tetor 2015, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në Forumin “Mbi shkëmbimet tregtare dhe investimet Hong Kong – Shqipëri”. Forumi synonte ngjalljen e interesit dhe promovimin e Shqipërisë përpara investitorëve potencialë të Hong Kongut dhe të Kinës në përgjithësi. Shqipëria u përfaqësua në këtë forum me një delegacion të nivelit të lartë të kryesuar nga Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama. Pjesë e delegacionit ishin Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, anëtarë të kabinetit qeveritar, Kryetari i Shoqatës së Bankave si dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

foto shefi 7720 0

Në këtë forum, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko bëri një ekspoze të situatës makroekonomike të vendit për të gjithë investitorët e huaj në takim. Në fjalën e tij, ai theksoi se Shqipëria pavarësisht zhvillimeve të pafavorshme ndërkombëtare, ka regjistruar ritëm pozitiv të rritjes ekonomike. Kombinimi i politikës monetare lehtësuese me politika fiskale konsoliduese ka ndikuar në qëndrueshmërinë e ekuilibrave makroekonomikë të vendit.

Një dimension tjetër ku u ndal z. Sejko ishte dhe sektori financiar në Shqipëri, së bashku me reformat e ndërmarra për të rritur ndërmjetësimin financiar në ekonomi. Vitet e fundit, Shqipëria dallohet si një vend me stabilitet financiar, ku një promotor i fuqishëm ka qenë edhe sektori bankar, i cili ka mbështetur ekonominë dhe biznesin në rrugën e zhvillimit ekonomik. Ky sektor gëzon një situatë financiare të shëndetshme, me tregues kapitalizimi dhe likuiditeti në parametra optimalë. Ai është i aftë të përballojë kërkesat e tregut dhe bizneseve për fonde dhe mbështetje financiare, përfshirë dhe të gjitha iniciativat e investitorëve të huaj. 

Në fund të fjalës së tij, Guvernatori theksoi se një sërë avantazhesh të natyrës gjeostrategjike, si vendndodhja gjeografike, pozicionimi midis tregjeve të lindjes dhe atyre të perëndimit, pasuritë nëntokësore, krahu i punës, kombinuar me një sistem financiar solid, krijojnë premisat bazë për një perspektivë optimiste përsa i takon bashkëpunimit ekonomik dhe financiar midis dy vendeve në të ardhmen.