BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko merr pjesë në konferencën “Normalja e re, sfidat dhe oportunitetet” të Universitetit Europian të Tiranës

Data e publikimit: 30.04.2021

 

Në datë 29 prill 2021, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në konferencën “Normalja e re, sfidat dhe oportunitetet” të organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës. Në këtë konferencë merrnin pjesë profesorë, përfaqësues të botës akademike dhe studentë.

DSC 7952 498

Në fjalën e mbajtur, Guvernatori Sejko falënderoi Universitetin Europian të Tiranës për zgjedhjen e kësaj teme tepër me vend dhe prezantoi opinionin e Bankës së Shqipërisë lidhur me të. Ai fillimisht u ndal në ndikimin e pandemisë COVID-19 në ekonominë shqiptare dhe masat e marra për minimizimin e efekteve të saj. Më tej u fokusua në diskutimin akademik mbi “normalen e re”, dhe në përfundim nënvizoi rolin që ka fleksibiliteti institucional për ndryshim, si instrument për adoptimin e praktikave më të mira në politikëbërje.

Lidhur me ndikimin e pandemisë në ekonominë shqiptare, Guvernatori u shpreh se rritja e pasigurisë dhe kufizimi i detyruar i lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, rezultoi në një kontraktim të ekonomisë gjatë vitit 2020. Përtej kësaj, pandemia u shoqërua me probleme ekonomike në nivel makro dhe mikro, por njëkohësisht testoi qëndrueshmërinë e fondamenteve të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare.

DSC 7921 498

Guvernatori theksoi se në përgjigje të kësaj situate, reagimi i autoriteteve publike në vend ishte i shpejtë dhe i paprecedentë. Banka e Shqipërisë ndërhyri me një paketë masash monetare e financiare. Këto masa synonin jo vetëm kufizimin e ndikimit afatshkurtër të pandemisë, por dhe ruajtjen e kapaciteteve prodhuese dhe të stabilitetit ekonomik e financiar të vendit - dy parakushte të domosdoshme këto për rritjen e shpejtë, të qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Në vijim, Guvernatori Sejko u shpreh se e rëndësishme mbetet të nënvizohet fakti se masat stimuluese të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë u bashkërenduan me një stimul të shtuar fiskal.

Gjithashtu, Guvernatori nënvizoi se politikat stimuluese të ndërmarra kanë ndihmuar në zvogëlimin e rrezikut në afat të shkurtër, por nuk mund të adresojnë ndryshime strukturore, si rrjedhojë një “normale e re” pritet të udhëheqë nevojën për adaptim të sektorit privat dhe një rikonceptim të paradigmave të qeverisjes institucionale.

Në lidhje me fleksibilitetin institucional për adoptimin me “normalen e re”, Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë ka treguar se është një institucion që adaptohet dhe ndryshon me hapin e kohës. Ai shtoi se, në mënyrë që të adoptohen eksperiencat më të mira ndërkombëtare që i rezistojnë kohës, ka qenë gjithnjë i rëndësishëm evoluimi gradual e i mirëmenduar. Guvernatori shtoi se këto tipare zhvillimi ofrojnë garancitë e duhura për përballjen me sfidat e “normales së re”.

Në përfundim, Guvernatori vlerësoi punimet e kësaj konference dhe nënvizoi rëndësinë e shkëmbimit të njohurive dhe eksperiencave mbi një temë të tillë kaq të rëndësishme.

 

Fjala e Guvernatorit