BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko merr pjesë në takimin e 42-të të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit

Data e publikimit: 22.11.2019

 

Në datat 20-22 nëntor 2019, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në takimin e 42-të të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit. Ky takim, i cili u zhvillua në Pragë me pjesëmarrjen e drejtuesve të bankave qendrore të vendeve anëtare të Klubit, u hap nga fjala përshëndetëse e Guvernatorit të Bankës Kombëtare të Çekisë, z. Jiří Rusnok.

800 8496 498

Klubi i Guvernatorëve shërben si një platformë diskutimi rreth zhvillimeve të vendeve anëtare, ku bankat qendrore shkëmbejnë eksperiencat, forcojnë lidhjet për bashkëpunim në të ardhmen dhe prezantojnë zhvillimet e fundit. Punimet e Klubit u përqendruan në sfidat e ndryshme me të cilat përballen sot bankat qendrore në përmbushjen e objektivit të tyre për ruajtjen e stabilitetit financiar, qëndrueshmërisë së çmimeve si dhe evidentimin e mekanizmave të ndryshëm të politikës monetare bazuar në zhvillimet e fundit ekonomike.

Gjatë pjesëmarrjes, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës ekonomike dhe financiare shqiptare, ku theksoi se zhvillimi i vendit mbetet në një trend pozitiv dhe se aktiviteti ekonomik ka bërë progres drejt rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë.

800 8488   800 8499

Më tej, diskutimi i Guvernatorit Sejko u ndal në përshtatshmërinë e përdorimit të mjeteve dhe instrumenteve të politikës monetare nga bankat qendrore, me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar, kthimin e inflacionit në objektiv dhe krijimin e kushteve të favorshme të financimit.

Ai u shpreh se në fokus të punës së Bankës së Shqipërisë, krahas stabilitetit të çmimeve, kanë qenë gjithashtu stabilizimi i kursit të këmbimit dhe nxitja e kreditimit të shëndetshëm. Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me institucionet e tjera në vend kanë qenë të angazhuara në hartimin e masave të ndryshme, ndër të cilat mund të përmenden plani i masave për reduktimin e nivelit të kredive me probleme në sistemin bankar, platforma për rigjallërimin e kreditimit, modernizimi i sistemit të pagesave, etj.

Guvernatori theksoi se falë punës së vazhdueshme të institucionit që ai përfaqëson dhe ushtrimit të rolit të tij, sektori financiar paraqitet i qëndrueshëm, tregjet e brendshme financiare operojnë të qeta, me norma të ulëta interesi, prime të ulëta rreziku dhe me qëndrueshmëri në rritje të kursit të këmbimit, tregues këta që evidentojnë një ambient të gatshëm për të mbështetur më tej zhvillimin ekonomik të vendit.

800 8541 300x200

 

Informacion mbi Klubin

Klubi i Guvernatorëve u krijua në vitin 1998, me nismën e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë. Vendet anëtare të këtij Klubi janë 26: Shqipëria (që në vitin 1998), Greqia, Turqia, Rumania, Bullgaria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Federata Ruse, Ukraina, Izraeli, Azerbajxhani, Armenia, Gjeorgjia, Kazakistani, Kirgistani, Moldavia, Taxhikistani, Kina, Çekia, Polonia, Kroacia, Sllovenia, Bjellorusia dhe Hungaria. Qëllimi i tij është të forcojë lidhjet midis bankave qendrore të rajonit dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave më të mira e trajtimit në tryeza të rrumbullakëta në nivel guvernatorësh ose ekspertësh të çështjeve problematike të momentit.