BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko mban një leksion në Qendrën e Studimeve të Evropës Juglindore të Universitetit të Oksfordit, në Londër

Data e publikimit: 13.06.2017

 

Në datën 12 qershor 2017, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko me ftesë të Universitetit të Oksfordit, në Londër, mbajti një leksion për një audiencë mjaft të gjerë, me temë "Roli i Bankës Qendrore si një ruajtës i qëndrueshmërisë së çmimeve dhe stabilitetit financiar të vendit".

Ky leksion u organizua në kuadër të bashkëpunimit që Banka e Shqipërisë ka ndër vite me Qendrën e Studimeve të Evropës Juglindore të Universitetit të Oksfordit.

 250 2

 250

Të pranishëm në këtë leksion ishin trupa akademike e Universitetit, ekspertë ndërkombëtarë në fushën e ekonomisë si dhe studentët e nivelit Master dhe Phd të Universitetit.

Në hapje të leksionit të tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko bëri një ekspoze të zhvillimeve makroekonomike në vend, ku u ndal veçanërisht në zhvillimet më të fundit në Eurozonë dhe në rajon si dhe analizoi ndikimet që ato patën në ekonominë shqiptare.

Në këtë drejtim, Guvernatori prezantoi një përmbledhje të sfidave me të cilat përballen në të tilla situata, dy politikat kryesore të bankave qendrore: ajo monetare dhe ajo makroprudenciale.

 

2017-06-13-photo-00000300-2 - 498

2017-06-13-photo-00000301-2 -498

Më tej, Guvernatori Sejko vijoi leksionin e tij duke theksuar se pavarësisht këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë ka qenë e gatshme të japë të gjithë kontributin e nevojshëm për të mbështetur një rritje ekonomike të qëndrueshme.

Guvernatori Sejko u shpreh se në një situatë të pafavorshme ndërkombëtare, Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare lehtësuese dhe, krahas saj, ajo i ka kushtuar një vëmendje të madhe reformës në sektorin financiar dhe mbikëqyrjes bankare.

Gjithashtu Guvernatori Sejko shtoi se politika monetare lehtësuese e ndjekur nga ana e Bankës së Shqipërisë, kushtet e përmirësuara të financimit dhe forcimi i besimit të agjentëve privatë vlerësohen si elementet kryesore që qëndrojnë pas këtij gjallërimi dhe rikthimi gradual të ekonomisë në ekuilibër.

Së fundmi, Guvernatori vuri theksin se politikat e ndjekura nga bankat qendrore kërkojnë një koordinim maksimal të brendshëm dhe të jashtëm për të arritur efekte optimale.

Në përfundim të leksionit, Guvernatori Sejko iu përgjigj pyetjeve të të interesuarve nga audienca lidhur me zhvillimet ekonomike dhe financiare në Shqipëri dhe në rajon.

Në kuadër të vizitës së tij, Guvernatori Sejko zhvilloi gjithashtu një takim me studentë dhe profesorë shqiptarë të Universitetit të Oksfordit.