BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PER SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko, merr pjesë në ceremoninë zyrtare të organizuar me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Krahinës Autonome të Korçës
Data e publikimit: 10.12.2016
Në kuadër të organizimeve me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së "Krahinës Autonome të Korçës" nga Qarku i Korçës, Banka e Shqipërisë organizoi një ekspozitë të veçantë në Muzeun Kombëtar të Arsimit në Korçë.
Viti 2016 përkon me një datë historike, atë të shpalljes së "Krahinës Autonome të Korçës", më 10 dhjetor 1916, e cila ndonëse e shkurtër në kohë, ishte një faktor pozitiv për mbajtjen gjallë të mëvetësisë formale të shtetit shqiptar dhe të ringritjes së tij. Gjuha shqipe, flamuri kombëtar dhe vetëqeverisja prej atdhetarëve korçarë mbeten tri shtyllat kryesore të veprimtarisë së kësaj krahine.
Kjo ngjarje pasqyrohet edhe në koleksionin e kartëmonedhave të Krahinës së Korçës, të cilat Muzeu i Bankës së Shqipërisë i prezantoi në Muzeun Kombëtar të Arsimit në Korçë nëpërmjet një ekspozite, në të cilën mori pjesë dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko.
Nëpërmjet këtij organizimi, Banka e Shqipërisë synon të shpalosë vlerat historike dhe kulturore të kartëmonedhës shqiptare të emetuar ndër vite.
Në këtë ekspozitë, u prezantua koleksioni i plotë i kartëmonedhave lokale të emetuara nga Krahina Autonome e Korçës në vitet 1917 dhe 1918, të shoqëruara me ilustrime fotografike dhe grafike, të cilat pasqyrojnë kontekstin historik, ekonomik dhe numizmatik të kohës.
Përveç kartëmonedhave, vizitorët patën mundësi të njihen gjithashtu me materiale të ndryshme edukative të Bankës së Shqipërisë, si broshura, panele informuese, etj.
Të ftuar në këtë ekspozitë ishin edhe tre koleksionistë të numizmatikës dhe filatelisë, anëtarë të Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë, të cilët pasuruan ekspozitën e Bankës së Shqipërisë me koleksionet e tyre, si pulla të Krahinës Autonome, kartëmonedha dhe kartolina origjinale të viteve 1916-1920.
Me ftesë të organizatorëve, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko mori pjesë në ceremoninë zyrtare të zhvilluar në homazh të atdhetarit Themistokli Gërmenji dhe vendosi një buqetë me lule në monumentin e tij.
Më tej, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko shoqëroi gjatë vizitës në ekspozitën e Bankës së Shqipërisë, Zëvendëskryeministrin e Republikës së Shqipërisë z. Niko Peleshi; Kryetaren e Qarkut zj. Ana Verushi dhe Kryetarin e Bashkisë së Korçës z. Sotiraq Filo. Gjatë kësaj vizite, të pranishmëve iu prezantua konteksti historik i formimit të Krahinës Autonome të Korçës, situata e përgjithshme ekonomike sipas të dhënave të kohës dhe Frangu i Krahinës Autonome.
Guvernatori Sejko dhuroi serinë e monedhave përkujtimore të Kongresit të Manastirit për organizatorët e aktivitetit kushtuar kësaj ngjarjeje të rëndësishme.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ishte gjithashtu i pranishëm në ceremoninë solemne të organizuar me rastin e këtij përvjetori, ku pati kënaqësinë të dorëzojë medaljen përkujtimore "Nderi i Qarkut" për pasardhësit e z. Qani Dishnica.
Banka e Shqipërisë falënderon Muzeun Kombëtar të Arsimitnë Korçë, koleksionistët e numizmatikës dhe filatelisë si dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë për ndihmesën e dhënë në organizimin e kësaj ekspozite.