BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PER SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, merr pjesë në takimin përmbyllës të vitit të organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave
Data e publikimit: 15.12.2016
Në datë 14 dhjetor 2016, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave me rastin e festave të fundvitit së bashku me të gjithë drejtuesit e institucioneve kryesore të sistemit financiar të vendit.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse të mbajtur me këtë rast, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko prezantoi shkurtimisht zhvillimet e ekonomisë botërore, ato të ekonomisë sonë, si dhe ecurinë e sistemit bankar së bashku me sfidat me të cilat është përballur gjatë vitit 2016.
Guvernatori Sejko u shpreh se gjatë vitit 2016, sektori bankar ka vijuar të zgjerojë aktivitetin e tij, i karakterizuar nga një nivel i kënaqshëm kapitalizimi, gjendje të shëndetshme financiare dhe rezultat pozitiv. ... Nivelet e ulëta të normave të interesit, si dhe një sistem bankar likuid dhe i mirëkapitalizuar, janë premisa pozitive për rritjen e kredisë dhe për financimin e rritjes ekonomike të vendit. Banka e Shqipërisë gjykon se zbatimi i plotë dhe në kohë i programit ndërinstitucional për lehtësimin e kredive me probleme do të jetë një ndihmë e madhe për përmirësimin e ambientit financiar në vend., - tha Guvernatori.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko vuri në dukje se viti që po hyjmë, do të jetë përsëri sfidues pasi me gjithë arritjet e vitit 2016, situata globale vazhdon të jetë komplekse. Nga kjo pikë vështrimi, ai veçoi rolin e rëndësishëm të drejtuesve të sistemit bankar të vendit si ndërmjetësues dhe furnizues të ekonomisë me para.
Guvernatori Sejko përcolli mesazhin se edhe gjatë vitit 2017, Banka e Shqipërisë do të ruajë një komunikim të rregullt me bankat tregtare, si një element thelbësor që ndihmon në identifikimin e problemeve dhe përmirëson zbatueshmërinë e kuadrit ligjor për kapërcimin e tyre.
Në përfundim, Guvernatori Gent Sejko përgëzoi dhe i uroi suksese Kryetarit të ri të sapozgjedhur të Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Periklis Drougkas, Drejtor i Përgjithshëm i Alpha Bank.