BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Kartëmonedha e re e prerjes 1000 Lekë, emetim i viti 2007

Data e publikimit: 07.11.2008

 

Në mbështetje të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, me vendimin nr. 59, datë 26.07.2006, miratoi rishtypjen e kartëmonedhës shqiptare të prerjes 1000 Lekë, emetim i vitit 2001.

Në zbatim të këtij vendimi, Banka e Shqipërisë njofton publikun shqiptar se në datën 14 nëntor 2008 do të hidhet në qarkullim kartëmonedha e prerjes 1000 Lekë, emetim i vitit 2007.

Ky vendim i marrë në vitin 2006, është në përputhje me programet e mëhershme të Bankës së Shqipërisë dhe ka si qëllim, modernizimin kartëmonedhës së prerjes 1000 Lekë, sipas standardeve më të mira të arritura në fushën e emisionit të parasë. Kartëmonedha e re ka në përbërjen e saj të gjitha elementet bashkëkohore të sigurisë, që përdoren sot në këtë fushë.

Hedhja në qarkullim e kësaj kartëmonedhe i shërben përmirësimit të cilësisë së parasë në qarkullim. Gradualisht, do të tërhiqen nga qarkullimi kartëmonedhat e dëmtuara duke u zëvendësuar me kartëmonedha të reja.

Kartëmonedha e re, e prerjes 1000 Lekë, emetim i vitit 2007, ka të njëjtat pamje dhe përmasa me kartëmonedhën e prerjes 1000 Lekë, emetim i vitit 2001. Por, ndryshe nga emetimi i mëparshëm, ajo do të ketë përforcime të disa elementeve të sigurisë si dhe përmirësime të qëndrueshmërisë ndaj dëmtimit.

Më konkretisht, në kartëmonedhën e re ndryshojnë elementet e mëposhtme:

  • firma e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe e Drejtorit të Emisionit;
  • viti në trupin e saj do të jetë 2007;
  • shtohet elementi i qosheve të përforcuara;
  • rritet gjerësia e fillit të sigurisë;
  • relievi i kartëmonedhës është më i ndjeshëm në prekje, sidomos tek pjesa e teksteve dhe numrave;
  • kartëmonedha është llakuar për ta mbrojtur nga lagështia.

Duke filluar nga 14 nëntor 2008, kartëmonedha e prerjes 1000 Lekë, emetim i vitit 2007, do të përdoret si mjet pagese paralelisht me të gjitha kartëmonedhat ekzistuese në qarkullim të kësaj prerjeje, të emisioneve të mëparshme.

Informacione të mëtejshme, mund të merren nga faqja jonë e internetit http://www.bankofalbania.org/ si dhe nga publikimet e Bankës së Shqipërisë, pranë çdo banke tregtare dhe zyre të këmbimit valutor që operon në Shqipëri.

Kliko këtu; Kartemonedha 1000 lekë me elementë të rinj sigurie