BANKA E SHQIPËRISË

Konferenca e 9-të Ndërkombëtare''Të ndërtojmë të ardhmen nëpërmjet kulturës financiare''

Data e publikimit: 09.09.2011

 

Në datën 15 shtator 2011, Banka e Shqipërisë organizon konferencën e 9të Ndërkombëtare me temë “Të ndërtojmë të ardhmen nëpërmjet kulturës financiare”, në ambientet e hotel “Sheraton”. Kjo konferencë zhvillohet në bashkëpunim me Bankën e Italisë, në kuadër të projektit të binjakëzimit, mes dy bankave qendrore.

Tema për të cilën do të diskutojnë përfaqësues të lartë të bankave qendrore dhe akademikë të shquar të fushës ekonomike dhe financiare, së fundmi ka ngjallur një interes të gjerë në mbarë botën. Rritja e kulturës financiare të qytetarëve është sinonim i rritjes së përgjegjshmërisë në veprimtaritë e tyre ekonomike, çka sjell për rrjedhojë dhe një rritje të mirëqenies ekonomike në tërësi.

Për sa i përket vendit tonë, zhvillimet e shpejta ekonomike kanë theksuar rëndësinë dhe nevojën e një qasjeje të bashkërenduar të institucioneve të shtetit shqiptar për edukimin financiar. Këto zhvillime ekonomike duhet të shoqërohen dhe me një rritje të nivelit të kulturës financiare dhe të përgjegjshmërisë, gjë e cila do të lehtësonte mbajtjen e standardeve të arritura dhe do të mbështeste rritjen e mëtejshme ekonomike të vendit.

Kjo konferencë përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm për Bankën e Shqipërisë, në rrugën e gjatë drejt edukimit financiar të qytetarëve, për t’i aftësuar në ndërtimin e të ardhmes së tyre nëpërmjet kulturës financiare.

Prej vitesh tashmë, pjesë e formatit të konferencave vjetore të Bankës së Shqipërisë është dhe shpallja e fituesve të konkursit “Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë”.