BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Leksion i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Universitetin Evropian Juglindor, Tetovë
Data e publikimit: 26.02.2010
Në datë 25 shkurt 2010, me ftesë të Universitetit Evropian Juglindor - Tetovë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, mbajti një leksion në ambientet e këtij universiteti me temë Shqipëria përballë sfidave të kohës dhe perspektivës evropiane, Tetovë, Maqedoni.
Leksioni u ndoq nga lektorë të këtij Universiteti si dhe nga studentë të huaj dhe shqiptarë, që studiojnë pranë këtij universiteti.
Një vend të rëndësishëm në leksionit të Guvernatorit Fullani ishte edhe kriza globale dhe efektet e saj. Gjatë leksionit të tij Guvernatori Fullani njohu të pranishmit me masat që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndoshë të stabilitetit makroekonomik dhe atij financiar, duke theksuar se pavarësisht efekteve të krizës sistemi bankar shqiptar mbetet likuid, i mirëkapitalizuar dhe i aftë të kryejë misionin e tij.
Në përfundim të leksionit, Guvernatori Fullani i është përgjigjur interesit të pedagogëve dhe studentëve, në trajtimin e çështjeve të veçanta të ngritura prej tyre.
Guvernatori Fullani zhvilloi edhe një takim të veçantë me Rektorin e Universitetit, z. Alajdin Abazi, si dhe drejtues e profesorë të ndryshëm të këtij universiteti, ku ka diskutuar mbi rëndësinë e edukimit të brezit të ri. Në këtë kuadër, Guvernatori i ka njohur të pranishmit në takim me iniciativat e Bankës së Shqipërisë për edukimin e publikut, ku një pjesë të rëndësishme zënë edhe studentët. Gjatë takimi u diskutua edhe për bashkëpunimin me këtë universitet, ku Banka e Shqipërisë u angazhua të ndihmojë Bibliotekën e këtij Universiteti me botimet e saj.
Universiteti Evropian Juglindor është hapur në vitin 2001 dhe sot numëron një numër prej 7000 studentësh, të cilët i nënshtrohen një programi bashkëkohor mësimdhëniejeje.
Gjatë vizitës në Maqedoni, Guvernatori ka zhvilluar edhe një takim me Guvernatorin e Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë (BKRM), z. Petar Goshev, në selinë e BKRM në Shkup. Gjatë takimit, dy guvernatorët kanë diskutuar rreth situatës makroekonomike në të dy vendet si dhe në rajon. Gjithashtu, guvernatorët kanë diskutuar edhe për zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të përbashkët.