BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi ceremoninë e inaugurimit të Qendrës Kërkimore të Bankës së Shqipërisë në Berat

Data e publikimit: 10.02.2010

 

Në kuadër të intensifikimit të punës shkencore dhe edukimit të publikut si dhe organizimit të aktiviteteve të rëndësisë së veçantë, Banka e Shqipërisë finalizoi iniciativën për krijimin të një qendre moderne kërkimore në qytetin e Beratit. Me këtë rast, në datën 10 shkurt 2010, Banka e Shqipërisë inauguroi këtë qendër. Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, të pushtetit lokal, të bankave tregtare që operojnë në Berat, si dhe arkitektë, historianë, dhe shumë të ftuar të tjerë, etj..

Kjo qendër mishëron të gjithë arkitekturën karakteristike të lagjes "Mangalem", duke reflektuar edhe kontributin konkret dhe të prekshëm të Bankës së Shqipërisë në ruajtjen dhe promovimin e vlerave historike të këtij qyteti të lashtë.

Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, kjo qendër përveç të tjerave do të ndikojë edhe në gjallërimin ekonomik e shoqëror të qytetit.

Në fjalën e tij të rastit, Guvernatori theksoi “Do bëj të pamundurën që kjo qendër të kthehet në një qendër rajonale, frekuentues të rregullt të së cilës do të jenë kolegët tanë nga rajoni dhe më gjerë. Jam i bindur se me krijimin e kësaj qendre kërkimore Banka e Shqipërisë do t’i japë hov të punës së saj shkencore”.

Gjithashtu, Guvernatori Fullani zhvilloi edhe një takim me nxënës dhe mësues të shkollave të mesme të qytetit të Beratit, ku u shpreh se: “Së shpejti do të fillojë zbatimi i një projekti të ri, edukimi nëpërmjet faqes tonë elektronike apo siç njihet ndryshe edukimi online. Nëpërmjet internetit ne do të sjellim platforma mësimore mbi bankën qendrore, ekonominë dhe financat personale jo vetëm, për nxënësit por edhe për mësuesit e tyre”.

Këto lloj takimesh tregojnë për angazhimin e Bankës së Shqipërisë në një komunikim sa më të mirë me publikun për ta ndërgjegjësuar atë mbi rolin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe gatishmërinë e saj për të ndërmarrë veprimet e duhura.

Duke përfituar nga rasti, në një ndalesë spontane në qytetin e Lushnjës, Guvernatori ka zhvilluar vizita në degën e Bankës Kombëtare Tregtare, Bankës Tirana dhe Bankës Intesa Sanpaolo- Shqipëri të këtij qyteti.

Gjatë këtyre vizitave Guvernatori zhvilloi biseda të lira me personelin e bankave dhe klientët e rastësishëm. Në fokusin e këtij bashkëbisedimi ishte interesimi i Bankës së Shqipërisë për të kuptuar më mirë zhvillimet ekonomiko-financiare të rrethit të Lushnjës, ecurinë e depozitave, shërbimin ndaj klientelës, kreditimin me theks të veçantë në sektorin e bujqësisë. Interes i veçantë iu kushtua opinioneve dhe sugjerimeve të bëra nga klientët, të cilët me frymë mirëkuptimi bënë një sërë sugjerimesh të vlefshme. Nga ana e tij, z. Fullani u shpreh se: “Mirëpret çdo konstatim dhe se biznesi bankar duhet bashkërisht të përshtatet në mënyrë që t’i paraprijë zhvillimeve ekonomike financiare të vendit. Në këtë kuptim, ka hapësira të mëtejshme për të shtuar gamën e produkteve bankare, për përmirësimin e shërbimeve dhe veçanërisht për uljen e kostove të shërbimit të klientelës. Kjo do të bënte të mundur uljen e kostos së ndërmjetësimit financiar në përgjithësi”.

Gjithashtu, këto takime shërbejnë për të vjelë në mënyrë të drejtpërdrejtë ide, vlerësime dhe opinione të publikut për ekonominë dhe ecurinë e sistemit financiar, duke u bërë pjesë e dialogut për gjetjen e rrugëve dhe zgjidhjeve optimale për minimizimin e efekteve negative, që përcjell në vend ekonomia ndërkombëtare.