BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit në takimin e radhës së Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore

Data e publikimit: 13.04.2010

 

Në datat 9-10 prill 2010, u zhvillua takimi i radhës së Ministrave të Ekonomisë dhe Financave të vendeve anëtare në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Turqi, e cila ka dhe kryesinë e radhës së këtij grupimi. Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore është një forum për dialog diplomatik dhe politik midis shteteve: Bosnje-Hercegovinë, Bullgari, Greqi, Kroaci, Mali i Zi, Maqedoni, Moldavi, Rumani, Serbi, Turqi, Shqipëri.

2010 04 takimi seecp ne stamboll 3204 0

Kjo iniciativë u lançua në Sofje në vitin 1996 gjatë një takimi të Ministrave të Jashtëm të vendeve të Evropës Juglindore, të cilët vendosën të fillojnë një proces të gjatë shumëplanësh bashkëpunimi midis shteteve anëtare në fushat e mëposhtme:

- përforcimi i stabilitetit, sigurisë dhe marrëdhënieve të mira të fqinjësisë;

- zhvillimi ekonomik;

- çështjet humanitare, sociale dhe kulturore;

- drejtësia, lufta kundër krimit të organizuar, trafiku i drogës dhe i armëve, terrorizmi.

Në këtë takim një vend të veçantë pati edhe paneli i Guvernatorëve të Bankave Qendrore dhe Rregullatorëve të Sektorit Bankar, ku në fokus ka qenë diskutimi i treguesve makroekonomikë dhe i zhvillimeve të sektorit financiar në mjedisin e ndikuar nga kriza.

Në këtë panel merrte pjesë edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, i cili ka mbajtur një prezantim rreth zhvillimeve më të fundit ekonomiko-financiare në vend.

Ndër të tjera, në prezantimin e tij zoti Fullani theksoi se “Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare të kujdesshme gjatë kësaj periudhe. Fokusi kryesor i politikës tonë ka qenë rritja e stimulit monetar në ekonomi, pa cënuar ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe pritshmëritë e agjentëve ekonomikë afër objektivit tonë për inflacionin.”

“Vendimet tona kanë patur si qëllim sigurimin e kushteve të përshtatshme monetare për të arritur objektivin e inflacionit në afatmesëm, por në të njëjtën kohë mbështetjen e rritjes ekonomike të Shqipërisë dhe ruajtjen e balancave financiare. E njëjta filozofi do të vazhdojë të udhëheqë vendimmarrjen tonë në periudhën në vazhdim.” u shpreh Guvernatori.

Ndërsa, në panelin e Ministrave të Ekonomisë dhe Financave, Shqipëria u përfaqësua nga Ministri i Financave, z. Ridvan Bode.