BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, në Forumin e 19-të të Evropës Qendrore dhe Lindore

Data e publikimit: 17.01.2014

 

Në datat 14-15 janar 2014, “Euromoney” organizoi Forumin e 19-të të Evropës Qendrore dhe Lindore në Vjenë, Austri. Ky forum zhvillohet çdo vit dhe mbledh në një tryezë të përbashkët diskutimi figura të njohura ndërkombëtare nga fusha politike e ekonomike.

Gjatë punimeve të forumit, të pranishmit diskutuan mbi zhvillimet më të fundit ekonomike në vendet e Evropës dhe më gjerë. Në panelin e Guvernatorëve të Evropës Juglindore, pjesë e të cilit ishte edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, u diskutuan tema të rëndësishme lidhur me ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore, si politikat e pranimit në Bashkimin Evropian, efektet e politikës monetare të Rezervës Federale dhe Bankës Qendrore Evropiane në vendet e Evropës Juglindore, trendet fiskale, shfrytëzimi i burimeve të reja të investimeve, si dhe krijimi i nxitësve të rinj që do të ndikonin në rritjen ekonomike.

Në ndërhyrjen e tij, Guvernatori Fullani bëri një pasqyrim të zhvillimeve më të fundit ekonomike dhe i njohu të pranishmit me masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, për ruajtjen dhe garantimin e stabilitetit financiar në vend, duke u ndalur veçanërisht në vendimmarrjen e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, të ndjekur gjatë muajve të fundit të vitit 2013. Ai u ndal gjithashtu edhe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar rëndësinë që ky proces ka për vendin tonë.