BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në konferencën e nivelit të lartë të organizuar nga Joint Vienna Institute me rastin e 20-vjetorit të krijimit

Data e publikimit: 13.07.2012

 

Në datat 12-13 korrik 2012, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë organizuar nga  Joint Vienna Institute (JVI) me rastin e 20-vjetorit të krijimit të tij. Në këtë konferencë merrnin pjesë figura të shquara të fushës, të politikëbërjes, akademikë, guvernatorë të bankave qendrore, si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare. Gjatë ditës së parë, diskutimet u përqendruan mbi  të ardhmen e rajonit të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Të pranishmit diskutuan mbi mësimet e nxjerra nga kriza ekonomike globale si dhe për masat e nevojshme që duhen të ndërmerren për të siguruar stabilitetin monetar dhe financiar të këtyre vendeve. Ndërsa në ditën e dytë, tema e diskutimit u fokusua mbi zhvillimin e institutit JVI, një vështrim nga e shkuara drejt të ardhmes së tij. 

Joint Vienna Institute është krijuar në vitin 1992 në formën e një instituti ndërkombëtar trajnimesh, i vendosur në qytetin e Vjenës në Austri. Instituti u krijua për t’iu përgjigjur me shpejtësi kërkesës së lartë nga vendet me ekonomi në tranzicion lidhur me trajnimin e punonjësve në fushat e ekonomisë së tregut dhe sistemit të lirë sipërmarrës. Institucionet themeluese të JVI-së janë: Banka Kombëtare e Austrisë, Ministria e Financës së Austrisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Organizatat kontribuese janë: Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe Organizata Botërore e Tregtisë. Duke filluar nga viti 1992, instituti ka trajnuar rreth 29.000 punonjës nga vendet në tranzicion.

Me ftesë të Joint Vienna Institute, Guvernatori Fullani mbajti një fjalim, gjatë ditës së parë të punimeve të konferencës, me temë mbi ruajtjen e stabilitetit financiar dhe monetar të vendit. Ndërkohë, në fjalën e mbajtur ditën e dytë të punimeve të konferencës, ndër të tjera, ftoi institucionet financuese të JVI-së që të konsiderojnë qendrën kërkimore të Bankës së Shqipërisë në Berat, kryesisht  për të zhvilluar trajnime për vendet e Evropës Juglindore.

Fjalën e plotë të Guvernatorit në këtë aktivitet e gjeni në linkun: www.bankofalbania.org