BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në mbledhjen e 18-të vjetore të Bordit të Guvernatorëve dhe Forumin e Biznesit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, 22 maj 2009

Data e publikimit: 22.05.2009

 

Në datat 15-18 maj 2009, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zoti Ardian Fullani mori pjesë në mbledhjen e 18-të vjetore të Bordit të Guvernatorëve dhe Forumin e Biznesit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në Londër, Angli.

Ky eveniment, i cili u fokusua mbi impaktet e krizës financiare botërore, mblodhi në një tryezë të përbashkët diskutimi aksionerët e kësaj banke së bashku me rreth 1000 drejtues të lartë të qeverive si dhe përfaqësuesve të biznesit, organizatave jofitimprurëse dhe medias nga vende të ndryshme në të cilat BERZH investon.

Gjatë qëndrimit në Londër, me ftesë të grupit financiar Citigroup Londër, Guvernatori Fullani ka bërë një prezantim të zhvillimeve kryesore të ekonomisë shqiptare dhe sfidave të saj në praninë e përfaqësuesve të sistemit bankar britanik dhe drejtuesve të institucioneve dhe kompanive financiare më të njohura. Ky event është organizuar në bashkëpunim me IFC - International Financial Services dhe Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar.

Duke përfituar nga rasti, Guvernatori Fullani i ka ftuar investitorët britanikë të kthejnë sytë nga Shqipëria, e cila ofron burime të larmishme investimi ende të pashfrytëzuara, të mbështetura nga një ekonomi e qëndrueshme, burime njerëzore të kualifikuara dhe një infrastrukturë rrugore bashkëkohore që po zhvillohet dita-ditës.

guvernatori fullani në mbledhjen e 18-të vjetore të bordit të guvernatorëve

Për të gjithë të interesuarit, fjala e plotë e z. Fullani mund të gjendet në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë www.bankofalbania.org.