BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në takimin e grupit të punës të Unionit Bankar, në Nismën e Vjena II

Data e publikimit: 04.04.2014

 

Në kuadër të Nismës së Vjena II, në datë 24 mars 2014, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në cilësinë e autoritetit përfaqësues të vendeve të Evropës Lindore dhe Juglindore, mori pjesë në takimin e grupit të punës për Unionin Bankar i cili i zhvilloi punimet në Londër, Mbretëria e Bashkuar.

Në këtë takim, organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, merrnin pjesë përfaqësues nga Banka Qendrore Evropiane,Autoriteti Bankar Evropian, Drejtoria e Përgjithshme e Tregut të Brendshëm dhe Shërbimeve të Bashkimit Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar, nga autoritetet mbikëqyrëse, si dhe drejtues të bankave qendrore nga vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore.

Diskutimet u përqendruan  në identifikimin e hapave dhe masave që duhet të ndërmerren për të intensifikuar bashkëpunimin midis autoriteteve të origjinës nga BE dhe atyre pritëse nga Evropa Lindore dhe Juglindore në fushën e mbikëqyrjes bankare, si dhe për të siguruar përfaqësimin në nivel institucional të autoriteteve të vendeve joanëtare përkundrejt autoriteteve evropiane në këtë fushë. Një koordinim më i mirë, do të shërbente për të integruar në procesin e vendimmarrjes në nivel evropian edhe të konsideratave mbi vendet joanëtare, të cilat ndikohen nga politikat e ndërmarra nga autoritetet e BE-së.

Në këtë kontekst Guvernatori Fullani,ngriti një sërë çështjesh, të cilat janë identifikuar gjatë bashkëpunimit rajonal me vendet jo anëtare në Bashkimin Evropian. Ai inkurajoi grupet e interesit që të kontribuojnë aktivisht në zgjidhjen e tyre, duke shfrytëzuar edhe mundësitë që ofron krijimi i Unionit Bankar në Bashkimin Evropian.