BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi pjesëmarrjen e Guvernatorit z. Ardian Fullani në kremtimin e 150-vjetorit të krijimit të Bankës së Rusisë

Data e publikimit: 21.06.2010

 

Me ftesë të Kryetarit të Bankës së Rusisë, zotit Sergej Ignatev, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, mori pjesë në kremtimin e 150 vjetorit të themelimit të Bankës së Rusisë.

Në aktivitetin e organizuar me këtë rast merrnin pjesë autoritetet më të larta të Rusisë, drejtues të bankave qendrore dhe të institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare financiare, përfshirë zotin Jean-Claude Trichet, President i Bankës Qendrore Evropiane dhe zotin Mervyn King, Guvernator i Bankës së Anglisë.

Bashkëpunimi dypalësh midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Rusisë vlerësohet në nivele të mira dhe kryesisht ka konsistuar vetëm në takime ndërmjet Guvernatorëve gjatë pjesëmarrjeve në takime ndërkombëtare (ndër të cilat, takimet e Klubit të Guvernatorëve të bankave  qendrore të rajonit të Ballkanit, të Detit të Zi dhe të Azisë Qendrore zënë një vend të rëndësishëm).

Themelimi i Bankës Qendrore të Rusisë daton në vitin 1860, kohë në cilën ajo quhej Banka e Shtetit të Perandorisë Ruse. Që prej vitit të themelimit e deri në ditët tona, Banka Qendrore e Rusisë e ka ndryshuar disa herë emrin e saj në varësi të situatave politike që Rusia ka kaluar. Emrin aktual, Banka Qendrore e Federatës Ruse (Banka e Rusisë) e ka marrë në 13 korrik 1990.