BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbi vizitën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Londër

Data e publikimit: 24.01.2011

 

Në datë 24.01.2011, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, zhvilloi një vizitë në Londër, i ftuar nga Universiteti i Oksfordit për të dhënë një leksion në Qendrën e Studimeve Evropiane me temë “Bashkëpunimi rajonal në Evropën Juglindore pas krizës globale”. Paneli i leksionit u drejtua nga z.Max Watson (Visiting Fellow, St Antony’s College), me praninë e z. Peter Sanfey, Kryeekonomist i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe  të z. Othon Anastasakis, Drejtor i Qendrës së Studimeve Evropiane në Universitetin e Oksfordit.

Në këtë leksion, Guvernatori Fullani parashtroi disa nga idetë e tij në lidhje me tendencat më të fundit të zhvillimeve ekonomike-financiare në Shqipëri dhe vendeve të rajonit si dhe domosdoshmërinë për të thelluar më tej reformat e ndërmarra, me qëllim   që rajoni të vazhdojë të rritet në mënyrë të vazhdueshme në vitet e ardhshme.

Ky aktivitet i rëndësishëm është në vazhdën e aktiviteteve që Banka e Shqipërisë ka zhvilluar gjatë dy viteve të fundit për rritjen ekonomike, si dhe realizohet si pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit mes Bankës së Shqipërisë dhe Universitetit të Oksfordit, të nënshkruar në shtator 2010.

Qëllimi i bashkëpunimit është kryerja e kërkimeve shkencore për nxitjen dhe thellimin e njohurive mbi politikat ekonomike dhe sfidat me të cilat përballet Shqipëria dhe rajoni; vlerësimi i mundësive politike për nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike në rajon si dhe integrimi në Bashkimin Evropian.

Gjatë vizitës së tij në Londër, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë zhvilloi një takim dhe me Zëvendësguvernatorin e Bankës së Anglisë, z. Charles Bean. Në qendër të bisedimeve ishin zhvillimet e fundit makroekonomike në vend dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit. Gjatë takimit u diskutua edhe mbi kontributin që bankat qendrore japin në studimin e fenomeneve ekonomike dhe u ra dakord për anëtarësimin e Bankës së Shqipërisë në Shoqatën e Revistës Ndërkombëtare të Bankingut Qendror (International Journal of Central Banking Association).

Revista Ndërkombëtare të Bankingut Qendror është krijuar në sajë të një iniciative të komunitetit të bankingut qendror.

Në revistë botohen materiale kërkimore të bankave qendrore me temë kryesisht mbi stabilitetin monetar dhe financiar, me një periodicitet tremujor.