BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë e datës 9 mars 2005

Data e publikimit: 10.03.2005

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e datës 9 mars 2005 me propozimin e Departamentit të Emisionit të Bankës së Shqipërisë, vendosi të miratojë :

"Konfigurimet e vizatimeve të monedhave metalike përkujtimore, që do të shtypen për qëllime numizmatike në vitin 2005", si më poshtë:

1. Monedhë metalike, prerja 10 Lekë, me tematikë "Tirana, 85-vjet kryeqytet, 1920 - 2005" , pa kurs ligjor, vizatimi do të jetë me përshkrimin e mëposhtëm:

a) Në pamjen kryesore të prerjes 10 Lekë : do të ketë vlerën emërore "10 Lekë" sipër një pëllumb dhe të shkruar në hark poshtë "Tirana, 85- vjet kryeqytet" si dhe vitet "1920 - 2005".

b) Në pamjen pas : në hark sipër do të ketë të shkruar "SHQIPËRI - ALBANIA" , në hark poshtë vitin "2005" si dhe në mes të monedhës objekti "Varr monumental i qytetit të Tiranës".


2. Monedhë metalike, prerja 10 Lekë, me tematikë "Objekte të trashëgimisë kulturore (kostumet popullore në Shqipëri)", pa kurs ligjor, vizatimi do të ketë këtë përshkrim:

a) Në pamjen kryesore të prerjes 10 Lekë : do të ketë vlerën emërore "10 Lekë" si dhe të shkruar në hark sipër "Objekte të trashëgimisë kulturore".

b) Në pamjen pas : në hark sipër do të ketë të shkruar "SHQIPËRI - ALBANIA", në hark poshtë vitin "2005" si dhe në mes të monedhës një kostum popullor.


Në këtë mbledhje Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi buxhetin faktik për vitin 2004 dhe disa vendime të tjera, që lidhen me aktivitetin e Bankës së Shqipërisë.