BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Memorandum Mirëkuptimi për Remitancat ndërmjet Bankës së Shqipërisë, Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë

Data e publikimit: 11.12.2017

 

Më 11 dhjetor 2017, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u zhvillua një takim i nivelit të lartë midis Bankës së Shqipërisë, Ministrit të Shtetit për Diasporën, bankave të nivelit të dytë dhe subjekteve financiare jobanka të angazhuara në fushën e transfertave monetare që operojnë në vendin tonë.

Ky takim përfaqëson fillimin i një sërë hapash të përbashkët që do të ndërmerren nga institucionet shqiptare, në përpjekjen për t’i dhënë vendin që meriton kontributit financiar që shqiptarët e emigruar japin për mirëqenien e familjeve të tyre. Qëllimi i këtij takimi ishte rritja e bashkëpunimit dhe e koordinimit ndërinstitucional në fushën e remitancave.

Ceremonia u çel me fjalët përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Ministrit të Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, dhe vijoi me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Bankës së Shqipërisë, Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

  dsc9548 2 498 a 10023 0

  dsc9516 2 498 a 10024 0

Ky memorandum synon rritjen e ndërgjegjësimit, lehtësimi i dialogut dhe nxitja e bashkëpunimit të efektshëm midis palëve për çështje që kanë të bëjnë me kontributin e dërgesave në para nga emigrantët shqiptarë në diasporë për zhvillimin e ekonomisë.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko prezantoi rëndësinë që përfaqësojnë remitancat në ekonominë e vendit si një zë i qëndrueshëm dhe i konsiderueshëm të hyrash, duke përbërë në këtë formë një burim të qenësishëm financimi të rritjes ekonomike të vendit. Në këtë drejtim, ai gjithashtu theksoi se remitancat vlerësohen të kenë një impakt domethënës në reduktimin e varfërisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës së familjeve shqiptare.

Në vijim, Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë dy vitet e fundit është angazhuar në projekte konkrete të lidhura me remitancat dhe përfshirjen financiare me qëllim rritjen e numrit të individëve apo bizneseve që kanë llogari bankare apo llogari pagesash për të kryer transaksione të ndryshme, si dhe rritjen e eficiencës në treg për dërgesat e emigrantëve dhe rritjen e ndërgjegjësimit e edukimit financiar.

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori inkurajoi të gjithë përfaqësuesit e industrisë bankare dhe aktorët e sistemit financiar të pranishëm në këtë ceremoni, që të luajnë një rol të veçantë në mobilizimin sa më efikas të remitancave dhe të kontribuojnë në këtë iniciativë, me vizion dhe produkte konkrete, duke i siguruar gjithashtu që do të ketë një dialog të vazhdueshëm për të lehtësuar çdo ndërmarrje në këtë fushë.

  dsc9607 2 498 a 10025 0

  dsc9645 2 498 a 10026 0

Nga ana e tij, Ministri i Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko, u shpreh se nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit midis Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë është pjesë e krijimit të një instrumenti të dobishëm që do t’i vijë në ndihmë publikut dhe aktorëve të tjerë për të përmirësuar politikat në drejtim të marrëdhënies me diasporën.

Ministri i Shtetit për Diasporën shtoi se pavarësisht nivelit të lartë të remitancave, Shqipëria nuk i ka përdorur ato për të siguruar rritje të strukturuar ekonomike, për këtë arsye memorandumi i sotëm është një hap, i cili do të koordinojë institucionet shtetërore me tregun bankar që investimet e diasporës të drejtohen në objektiva që kanë rezultate të qëndrueshme në ekonomi.

Më tej, ky takim vijoi punimet në një nivel më teknik, ku të pranishmit patën mundësi të diskutojnë lidhur me kontributin potencial të sistemit financiar në këtë iniciativë.