BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Mini-panair me rastin e 86 vjetorit të monedhës kombëtare

Data e publikimit: 02.04.2012

 

Me rastin e 86-vjetorit të hedhjes në qarkullim të monedhës dhe kartëmonedhës së parë kombëtare, Banka e Shqipërisë, në datë 31 mars 2012, organizoi një aktivitet në formën e një mini-panairi, kushtuar fëmijëve dhe të rinjve të grupmoshave të ndryshme.

Programet edukative të Bankës së Shqipërisë prej kohësh janë fokusuar mbi sistemin arsimor, e veçanërisht tek nxënësit e shkollave të mesme, ndërsa përmes këtij aktiviteti, në fokusin e Bankës u shtuan edhe nxënësit e shkollave 9-vjeçare.

Në kuadër të këtij viti jubilar, disa prej materialeve që iu ofruan vizitorëve u ndërthurën dhe me elemente të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Qëllimi i këtij mini-panairi ishte ndërgjegjësimi i të rinjve lidhur me historinë dhe vlerat e monedhës kombëtare. Në fakt monedha jonë kombëtare ka luajtur një rol të rëndësishëm në këto 86 vjet. Në të janë pasqyruar jo vetëm momentet kyçe të historisë sonë por edhe ato personalitete që kanë kontribuuar në mënyrë të padiskutueshme për krijimin e ndërtimin e vendit tonë. Monedha dhe kartëmonedha janë gjithashtu edhe pjesë integrale e kulturës së një vendi pasi përfaqësojnë edhe vepra arti.

Vetëm përmes njohjes së rëndësisë së monedhës kombëtare të rinjtë do të mësojnë të trajtojnë me kujdes kartëmonedhat dhe monedhat që përdorin në jetën e përditshme, si dhe të tregohen të përgjegjshëm me paranë e ta vlerësojnë atë.

Në këtë mini-panair morën pjesë nxënës nga shkolla të mesme dhe 9-vjeçare të vendit.

Nëpërmjet materialeve të shkruara dhe audio-vizive, ata u njohën me historinë dhe funksionet e parasë si mjet pagese, si dhe me elementet e sigurisë së kartëmonedhave dhe simbolikën e tyre.

Të rinjtë vizituan këndet e ndryshme të mini-panairit ku patën mundësinë të ndjekin disa filma të shkurtër, morën pjesë në disa lojëra të luajtura on-line si dhe në shumë aktivitete të tjera që ofronte mini-panairi. 

Përveç materialeve të përgatitura posaçërisht për këtë mini-panair, vizitorët u njohën më mirë edhe me aktivitetet dhe programet e tjera edukuese, si dhe shfletuan broshurat e ndryshme edukative të Bankës së Shqipërisë.