BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundon konsultimet mbi Artikullin IV për 2010 - Konkluzionet Paraprake të Misionit

Data e publikimit: 11.03.2010

 

Stimuli i fortë i politikave ekonomike zbuti goditjen e krizës botërore…

1. Përballë stuhive të forta, ekonomia shqiptare e ka përballuar krizën botërore mjaftueshëm mirë deri tani. Megjithë rënien e fortë ekonomike dhe goditjen e besimit në pjesën më të madhe të Europës dhe në ekonomi të tjera të përparuara, si dhe rëniet në eksporte dhe në dërgesat e emigrantëve, prodhimi i brendshëm bruto (PBB) i Shqipërisë, vlerësohet të ketë regjistruar një rritje prej 3 përqind në vitin 2009. Për më tepër, besimi në sektorin financiar është rikthyer siç provohet nga rifillimi i rritjes së depozitave. Në të njëjtën kohë pritshmëritë e inflacionit kanë mbetur të mirëankoruara, ndërsa dërgesat e emigrantëve dhe eksportet kanë filluar të marrin veten.

 

2. Stimujt fiskalë dhe monetarë kanë qenë një faktor i rëndësishëm në shpjegimin e kësaj ecurie ekonomike të favorshme. Funksionimi i plotë i stabilizatorëve automatikë të buxhetit—kryesisht ulja e të ardhurave—u shoqërua me rritje të mëdha në shpenzime. Politika monetare ofroi ndihmesë në kohën e duhur nëpërmjet dy uljeve të normës bazë të interesit dhe injeksioneve të likuiditetit, ndërsa kursi i këmbimit kreu funksionin e tij si absorbues goditjesh. Tradita e një mbikqyrjeje dhe regullimi i matur ndihmuan të garantonin që bankat të hynin në krizë në formë të mirë dhe të mund të mbështeteshin në rezerva të konsiderueshme kapitali dhe likuiditeti. Këto u mbështeten më tej dhe nga ndihma e bankave të huaja mëma. Për më tepër, ndikimi i krizës u zbut nga pesha e kufizuar e kanlit të eksporteve në Shqipëri dhe mbështetja e tij e vogël në financime nga tregu.

...por tani mekanizmat mbrojtës duhen rindërtuar dhe politika fiskale duhet shtrënguar në mënyrë që të ruhet stabiliteti makroekonomik i vazhduar