BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Rishikimi i metodologjisë së vrojtimeve të besimit

Data e publikimit: 15.01.2014

 

Vrojtimi i Besimit të Biznesit (VBB) dhe Vrojtimi i Besimit të Konsumatorit (VBK) janë dy vrojtime të cilët shërbejnë për prodhimin e treguesve mjaft të rëndësishëm për monitorimin dhe analizën në kohë të zhvillimeve ekonomike. Qëllimi i tyre është vlerësimi i aspekteve të ndryshme të aktivitetit të bizneseve, të konsumatorëve dhe të ekonomisë në tërësi. Këto vrojtime zhvillohen nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me INSTAT-in, dhe kryhen me një periodicitet tremujor.

Duke filluar nga tremujori i katërt i vitit 2013, në interes të përmirësimit të cilësisë dhe gamës së treguesve të llogaritur dhe publikuar, Banka e Shqipërisë do të bëjë dy ndryshime në vrojtimin e besimit të biznesit.

  • Së pari, Banka e Shqipërisë do të publikojë për herë të parë Treguesin e Besimit të Tregtisë (TBT).

Metodologjia e përditësuar mund të konsultohet në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë si më poshtë:

Metodologjia

Në metodologjinë e publikuar prezantohen hapat e ndërtimit të treguesit të ri të besimit, për sektorin e tregtisë.

Motivi kryesor i nxjerrjes së një treguesi të besimit për tregtinë është marrja e informacionit për një sektor dinamik që jep një informacion më të pasur për ecurinë e konsumit në ekonomi. Gjithashtu kjo e përafron metodologjinë që përdor Banka e Shqipërisë me atë të përdorur nga vendet më të zhvilluara dhe është në përputhje me udhëzimet për vrojtimet e besimit nga Komisioni Evropian dhe OECD. Së bashku me publikimin e TBT-së do të publikohen edhe balancat e parregulluara dhe të rregulluara për sektorin e tregtisë.

  • Së dyti, Banka e Shqipërisë do të kryejë rifreskime dhe përmirësime në komponentët e tjerë të treguesve të besimit.

Sipas metodologjisë së re janë rillogaritur, duke nisur nga fillimi i matjes, Treguesi i Besimit të Industrisë (TBI) dhe Treguesi i Besimit të Shërbimeve (TBSH), duke përafruar më shumë luhatjet e tyre me ndryshimet vjetore të PBB-së reale*. Këto ndryshime nuk përbëjnë një shkëputje të serisë, pasi janë zbatuar mbi seritë e treguesve të besimit që nga fillimi i ndërtimit. Seritë e vjetra të TBI dhe TBSH mund të llogariten nisur nga balancat e detajuara sipas sektorëve, të cilat do të vijojnë të publikohen, të rregulluara dhe të parregulluara për sezonalitet. Seria e Treguesit të Ndjesisë Ekonomike (TNE) është rillogaritur duke përfshirë sektorin e tregtisë.


* Luhatjet e treguesit të ri të llogaritur ndjekin nga afër luhatjet e treguesit të mëparshëm. Për më shumë shih metodologjinë.