BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Takimi i dytë i nivelit të lartë në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit për Remitancat ndërmjet Bankës së Shqipërisë, Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë

Data e publikimit: 14.12.2018

 

Më 14 dhjetor 2018, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u zhvillua takimi i dytë i nivelit të lartë midis Bankës së Shqipërisë, Ministrit të Shtetit për Diasporën, bankave tregtare dhe subjekteve financiare jobanka të angazhuara në fushën e transfertave monetare që operojnë në vendin tonë.

DSC 8084-2 498

Ky takim zhvillohet në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit “Për Remitancat” të nënshkruar vitin e kaluar nga Banka e Shqipërisë, Ministri i Shtetit për Diasporën dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Qëllimi i takimit është diskutimi mbi zhvillimet e arritura përgjatë vitit të parë pas nënshkrimit të Memorandumit, si dhe synimet dhe nevojat për ndërhyrje të përbashkëta në të ardhmen, për përfshirjen e diasporës dhe emigracionit në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e vendit.

DSC 7999-2 498

Takimi u çel me fjalët përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Ministrit të Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë e remitancave në ekonominë shqiptare, në mirëqenien e familjeve dhe zhvillimin në përgjithësi. Ai u shpreh se gjatë vitit 2018, Banka e Shqipërisë, përmes burimeve të saj, është angazhuar seriozisht në krijimin e parakushteve të nevojshme për kanalizimin sa më efikas të këtyre të ardhurave në ekonominë shqiptare.

Në vijim, Guvernatori Sejko shtoi se duke iu referuar nismave ndërkombëtare në fushën e remitancave, evidentohet rëndësia e reduktimit të kostove dhe rritja e efikasitetit të shërbimeve për dërgesat. Ai nënvizoi se, gjatë këtij viti, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë projektesh për analizimin e tregut vendas, me qëllim identifikimin dhe adresimin e nevojave për ndërhyrje.

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori Sejko u shpreh se në të ardhmen, Banka e Shqipërisë do të vijojë me zhvillimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe përmirësimet infrastrukturore, të cilat mbështesin përfshirjen financiare e reduktojnë kostot e përdorimit të këtyre instrumenteve, si dhe shprehu besimin se përpjekjet e të gjithë aktorëve do të vijojnë  me të njëjtat ritme për përfshirjen sa më të shpejtë e të gjerë në ekonominë e vendit, të këtij faktori mjaft me rëndësi si remitancat.

Më tej, takimi vijoi punimet në nivel teknik, ku të pranishmit patën mundësi të diskutojnë lidhur me angazhimet dhe nismat e së ardhmes.