BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 3 prill 2019

Data e publikimit: 03.04.2019

 

Në mbledhjen e datës 3 prill 2019, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Deklaratës dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë 2018

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji "Për Bankën e Shqipërisë".

Në këtë raport, Banka e Shqipërisë vlerëson se zhvillimet në ekonominë reale dhe tregun financiar, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2018, mbështetën zgjerimin e veprimtarisë së sistemit financiar në vend dhe të sektorit bankar. Ndryshimet që po ndodhin në strukturën e sektorit bankar, janë shoqëruar me rritjen e peshës së kapitalit vendas dhe uljen e numrit të bankave. Ky proces, pritet të kontribuojë pozitivisht në ecurinë e ndërmjetësimit financiar. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë mbeti i kontrolluar, në kushtet kur kreditë me probleme vijuan rënien, treguesit e rreziqeve të tregut nuk patën ndryshime gjatë periudhës, dhe treguesit e likuiditetit ishin në nivele të larta. Rezistenca e sektorit bankar ndaj këtyre rreziqeve vlerësohet e fortë, në kushtet kur veprimtaria e tij paraqitet me fitim dhe kapitalizimi i tij është në nivele të mira. Në vijim të këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë vlerëson se sektori bankar mbetet i qëndrueshëm.

Raporti do të publikohet i plotë në ditët në vijim, në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë http://www.bankofalbania.org/.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera mbi aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.