BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 5 prill 2023

Data e publikimit: 05.04.2023

 

Në mbledhjen e datës 5 prill 2023, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Deklaratës dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë 2022

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji "Për Bankën e Shqipërisë".

 DSC7629 copy 498

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022 (më tej, “periudha”), veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Në tërësi, aktiviteti i sektorit bankar, depozitat dhe kreditë u zgjeruan, por ritmet e rritjes ishin më të ulëta se në periudhat e mëparshme duke reflektuar edhe ndikimin e mbiçmimit të kursit të këmbimit. Cilësia e kredisë vijoi përmirësimin dhe treguesit e tjerë të performances dhe të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Në tërësi, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve u paraqit i kontrolluar, por rreziqet e kreditit dhe të tregut kërkojnë vlerësim të vazhdueshëm dhe të kujdesshëm. Zhvillimet ekonomike përgjatë periudhës ishin pozitive, ku rritja ekonomike u shoqërua me ulje të papunësisë dhe rritje të punësimit e të pagave. Politika fiskale ruajti nje prirje konsoliduese në pjesën më të madhe të periudhës. Presionet inflacioniste mbetën të larta dhe Banka e Shqipërisë vijoi me normalizimin e politikës monetare. Megjithëse norma e inflacionit është ngadalësuar së fundi, rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishme. Ato lidhen me pasigurinë që mbartin zhvillimet gjeopolitike dhe të tregjeve ndërkombëtare, por edhe me ecurinë e inflacionit, cështjet e sigurisë kibernetike dhe ndikimin e rritur të rreziqeve të tregut. Në këto kushte, mbetet e rëndësishme që politikat ekonomike të synojnë ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, ndërsa institucionet financiare dhe autoritetet mbikëqyrëse të ruajnë një monitorim të kujdesshëm të zhvillimeve në veprimtarinë financiare dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të forcuar rezistencën e sistemit financiar dhe për të shmangur rreziqet për stabilitetin financiar.

 DSC7652 copy 498

Raporti do të publikohet i plotë në ditët në vijim, në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë http://www.bankofalbania.org/.

  • Miratimin paraprak për kryerjen e veprimtarisë financiare shtesë nga banka OTP Albania sh.a.

 DSC7576 498

Në bazë të këtij miratimi, Banka OTP Albania sh.a. do të kryejë veprimtarinë financiare shtesë të ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime, në rolin e brokerit.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera mbi aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.