BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 7 shtator 2022

Data e publikimit: 07.09.2022

 

Në mbledhjen e tij të datës 7 shtator 2022, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

  • Miratimin e Deklaratës dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2022

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji "Për Bankën e Shqipërisë".

 DSC9850 498

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Depozitat dhe kreditë u rritën me ritme më të ulëta se në periudhat e mëparshme, cilësia e kredisë vijoi përmirësimin dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Në tërësi, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve u paraqit i kontrolluar. Zhvillimet ekonomike përgjatë periudhës ishin pozitive, ndonëse rritja ekonomike dhe çmimet e larta të energjisë dhe të ushqimeve në tregun ndërkombëtar, ruajtën presione të theksuara inflacioniste. Në këto kushte ka nisur normalizimi i politikës monetare për uljen e normës së inflacionit në afatin e mesëm dhe po merren masa të natyrës fiskale dhe administrative për sigurimin e energjisë së nevojshme për ekonominë. Për shkak të çmimeve të jashtëzakonshme të energjisë në tregun ndërkombëtar dhe pozicionit të vendit tonë si një ‘importues neto’ i energjisë, sfida për rritjen e ekonomisë në muajt e ardhshëm është e konsiderueshme. Nëse ekonomia ngadalësohet, kjo mund të ndikojë në rënien e aftësisë paguese të bizneseve e të familjeve, dhe të përcillet në sektorin bankar nëpërmjet rënies së cilësisë së aktiveve, rënies së niveleve të fitimit të veprimtarisë apo krijimit të humbjeve financiare. Për të administruar këtë skenar, nevojitet që bankat të evidentojnë ekspozimet e tyre më të ndjeshme dhe të ndërmarrin në kohën e duhur veprimet e nevojshme për mbulimin e rreziqeve, duke përfshirë krijimin e rezervave financiare dhe fuqizimin e pozicioneve të kapitalit. Banka e Shqipërisë do të vijojë të monitorojë me kujdes zhvillimet në sektorin bankar dhe në treguesit makroekonomikë e financiarë. Ky proces siguron që vendimet e politikave të institucionit t’i përgjigjen zhvillimeve aktuale dhe pritjeve që ndërtohen mbi to, duke synuar gjithmonë ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar.

 DSC9937 copy 498

Raporti do të publikohet i plotë në ditët në vijim, në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë http://www.bankofalbania.org/.

  • Miratimin për shtypjen e monedhave metalike përkujtimore, për qëllime numizmatike, në vitin 2023

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të miratojë emetimin e një monedhe përkujtimore me tematikë “Sevasti Qiriazi-Dako (1871-1949), veprimtare e Lëvizjes Kombëtare për emancipimin e gruas shqiptare”.

Sevasti Qiriazi Dako (1871-1949) ishte mësuese e pedagoge, intelektuale, mendimtare e politikane, veprimtare e palodhur, për të cilën mund të thuhet me bindje se hapi një faqe të ndritur e të lavdishme në historinë e arsimit dhe shkollës shqipe.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.