BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vizita zyrtare e Guvernatorit të Bankës Kombëtare të Serbisë, z. Radovan Jelasic pranë Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 16.03.2010

 

Në datat 15-16 mars 2010, me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, Guvernatori i Bankës Kombëtare të Serbisë, z. Radovan Jelašic zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Në qendër të diskutimeve në takimin e zhvilluar midis dy guvernatorëve, ka qenë stabiliteti financiar i rajonit, ku është theksuar se bashkërendimi i politikave të ndryshme makroekonomike do të ndihmonte më shumë në integrimin rajonal dhe atë evropian. Në këtë kuadër, guvernatorët bënë një ekspoze të zhvillimeve më të fundit makroekonomike në vendet përkatëse, duke u fokusuar në sfidat që këto banka qendrore kanë në drejtim të stabilitetit financiar dhe integrimit evropian.

Një pikë tjetër e rëndësishme e diskutimit midis guvernatorëve ishte dhe thellimi i bashkëpunimit, ku aktualisht midis dy bankave është duke u zbatuar marrëveshja e bashkëpunimit teknik të nënshkruar gjatë vitit të kaluar, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave në fusha të ndryshme të bankingut qendror.

Në kuadër të vizitës zyrtare, Guvernatori Jelašic mbajti një leksion me temë “E ardhmja do të jetë ndryshe nga e shkuara! Rasti i Serbisë”. Leksioni u zhvillua në hollin e Bankës së Shqipërisë, ku merrnin pjesë përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, drejtues të bankave tregtare, staf pedagogjik dhe qendra të ndryshme kërkimore si dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit serb në Shqipëri.

Në fjalën e tij përshëndetëse në hapje të këtij leksioni, Guvernatori Fullani u shpreh se situata që ka karakterizuar ekonominë botërore dy vitet e fundit e ka bërë më të domosdoshme thellimin e bashkëpunimit ndërmjet bankave qendrore të rajonit. Shkëmbimi i informacionit mbi masat e marra, mbi veprimet dhe taktikat e përdorura, mbi modifikimet ligjore dhe rregullative ka qenë një faktor shumë i rëndësishëm që ka ndihmuar në përballimin e situatave të ndryshme me të cilat jemi përballur gjatë kësaj periudhe. Ky bashkëpunim i shkëlqyer midis bankave qendrore të rajonit, ka krijuar një shtrat për rritjen e mëtejshme të mirëkuptimit dhe kooperimit ndërmjet vendeve të ndryshme të rajonit, duke dhënë një kontribut konkret në përmbushjen e aspiratës rajonale për integrimin me familjen evropiane.

Në kuadër të kësaj vizite u organizua dhe një aktivitet kulturor në qendër të të cilit ishte shfaqja e filmit ‘Honeymoons’, një bashkëpunim shqiptaro-serb me regji të Goran Paskaljevic, dhe skenar të Goran Paskaljevic dhe Genc Përmetit. Në këtë aktivitet, përveç Guvernatorit të Bankës Kombëtare të Serbisë, z. Radovan Jelašic dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, ishte i ftuar dhe Guvernatori i i Bankës Qendrore të Malit të Zi, z. Ljubiša Krgovic dhe regjisori Goran Paskaljevic.

Në fjalën e tyre të përshëndetjes, të dy guvernatorët e cilësuan bashkëproduksionin e parë shqiptaro-serb, në fushën e kinematografisë, si një përpjekje që sheh përtej barrierave të së kaluarës, me një orientim të qartë drejt filozofisë së integrimit të rajonit me pjesën tjetër të Evropës.

Filmi ‘Honeymoons’ është fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të shumtë nga bota kinematografike, nga fusha e bankave dhe dashamirës të artit.