BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vizitë zyrtare e Zëvendësguvernatorit të Bankës së Suedisë, z. Lars Nyberg, pranë Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 15.09.2010

 

Në datën 14-15 shtator 2010, me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, zhvilloi një vizitë zyrtare pranë Bankës së Shqipërisë, z. Lars Nyberg, Zëvendësguvernator i Bankës së Suedisë (Sveriges Riksbank).

Gjatë takimit, diskutimet u fokusuan në zhvillimet ekonomike, ku Guvernatori Fullani e njohu z.Nyberg me ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe veçanërisht me atë të sistemit bankar. Guvernatori Fullani paraqiti masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për një mbikëqyrje të kujdesshme të sistemit bankar, si dhe bëri një përshkrim të kuadrit të politikës monetare në Shqipëri. Gjithashtu, Guvernatori Fullani theksoi politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.

Nga ana e tij, z. Nyberg falënderoi Guvernatorin Fullani për ftesën e bërë. Kjo është vizita e dytë zyrtare e z. Nyberg në Shqipëri. Nisma e ndërmarrë pak vite më parë nga Banka e Shqipërisë për thellimin e dialogut ndërmjet bankave qendrore të rajonit dhe Bankës Qendrore Evropiane ka pasur edhe përkrahjen e Bankës së Suedisë. Një nismë e tillë ka ndihmuar këto banka në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore (SEBQ). Gjithashtu, Banka e Suedisë ka ndihmuar në dhënien e asistencës teknike me qëllim përgatitjen e Bankës së Shqipërisë në procesin e përafrimit me SEBQ-në.