BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Zhvillohet faza finale e konkursit "Vlera e Vërtetë e Parasë!" midis shkollave të mesme të rrethit të Shkodrës, 9 prill 2009

Data e publikimit: 10.04.2009

 

Banka e Shqipërisë, në zbatim të programit të edukimit “Banka Qendrore në jetën e përditshme”, ka zhvilluar me nxënësit e viteve të treta të të gjitha shkollave të mesme të rrethit të Shkodrës konkursin “Vlera e vërtetë e parasë!”. Konkursi, është një prej aktiviteteve të përfshira në Memorandumin e Bashkëpunimit, të nënshkruar midis Ministrisë së Arsimit dhe Bankës së Shqipërisë në datën 13 dhjetor 2007, i cili synon të zgjerojë njohuritë e nxënësve rreth rolit të bankës qendrore në ekonominë e vendit si dhe të rrisë zhvillimin e kulturës ekonomike të vendit.

Konkursi, në të cilin merrnin pjesë 16 shkolla të rrethit të Shkodrës, u zhvillua në teatrin “Migjeni”. Ai u ndoq nga nxënës, mësues, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të rrethit si dhe familjarë të pjesëmarrësve.

konkursi ne shkoder 2

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmeve Guvernatori Fullani, midis të tjerave bëri publik vendimin e Bankës së Shqipërisë për ta shndërruar garën midis shkollave të mesme nga rajonale në një takim kombëtar. “Para një viti, në prill 2008 ky konkurs shënoi fillimin e tij në qytetin e Tiranës. Atëherë u premtova nxënësve që shumë shpejt konkursi do të jetë kombëtar. Të gjithë nxënësit e Shqipërisë do të kenë mundësinë të jetojnë këtë përvojë interesante në jetën e tyre, për të na dhënë edhe ne një kënaqësi të veçantë. Sot jam këtu para jush me këtë premtim të mbajtur!”.

konkursi ne shkoder

Ai gjithashtu, zhvilloi një bisedë interesante me nxënësit në sallë, duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta të tyre.

Skuadra fituese e kësaj gare të gjatë në Shkodër, shkolla “28 Nëntori” do të konkurrojë në fazën finale që do të zhvillohet në rang kombëtar 5 qershor 2009 në qytetin e Tiranës.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në cilësinë e Kryetarit të Jurisë, përgëzoi nxënësit, mësuesit e shkollave pjesëmarrëse si dhe Drejtorinë Arsimore të rrethit të Shkodrës për mbështetjen në realizimin e suksesshëm të këtij programi.