Pas 77 vjetësh, më 30 tetor 2015, Banka e Shqipërisë organizoi ceremoninë e inaugurimit të ndërtesës së saj të rikonstruktuar dhe çeljen e Muzeut të Bankës së Shqipërisë. 
Ky muze shtrihet në dy kate të godinës qendrore të BSH-së, dhe secili prej tyre është konceptuar si një hapësirë e pavarur. Në katin e parë, në një trajektore ekspozitorësh që arrin kulmin në Dhomën e Thesarit ose siç njihet ndryshe “Rondon”, prezantohet koleksioni i pasur numizmatik i Bankës së Shqipërisë, nga lashtësia deri në ditët e sotme. Ndërkohë, në katin e dytë të Muzeut prezantohet historia e institucionit të bankës qendrore në Shqipëri, roli i saj në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe në garantimin e stabilitetit financiar të vendit, si dhe funksionet kushtetuese. Me një fokus të veçantë për edukimin e publikut, ky muze vjen i pajisur me hapësira të dedikuara për orë mësimore, leksione dhe aktivitete të tjera didaktike, në fushën e parasë dhe të ekonomisë.
Muzeu i Bankës së Shqipërisë përfaqëson edhe një destinacion të ri turistik në zemër të Tiranës, si dhe një qendër të përhershme informacioni, ku publiku i gjerë mund të mësojë më shumë mbi të gjitha aspektet e parasë dhe të ekonomisë, si dhe të kuptojë më mirë funksionin e bankës qendrore.