BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Vendimmarrja e Këshillit Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 6 mars 2024

Data e publikimit: 06.03.2024

 

Në mbledhjen e datës 6 mars 2024, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

 DSC9471 498

  • Miratimin e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2023

Raporti vjetor përbën një detyrim ligjor të Bankës së Shqipërisë, me anë të të cilit realizohet llogaridhënia para Kuvendit të Shqipërisë dhe komunikimi me sistemin financiar, mediat dhe publikun. Ai përbën dokumentin më të rëndësishëm që, në mënyrë transparente, informon Kuvendin mbi vendimmarrjen e Këshillit Mbikëqyrës dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, në përmbushje të objektivave të saj institucionalë, monetarë, operacionalë dhe zhvillimorë.

 DSC9394 498.

Në raport, ndër të tjera, pasqyrohen:

  • zhvillimet e përgjithshme makroekonomike në vend;
  • politika monetare dhe ajo valutore e ndjekur nga Banka e Shqipërisë;
  • zhvillimet në sistemin bankar dhe rreziqet potenciale me të cilat përballet stabiliteti financiar;
  • aktiviteti mbikëqyrës, licencues dhe rregullator;
  • aktiviteti i emisionit monetar, i sistemit të pagesave, i administrimit të rezervës valutore, statistikor, kërkimor, komunikues dhe ai i edukimit të publikut;
  • administrimi i burimeve njerëzore;
  • veprimtaria e kontrollit të brendshëm;
  • objektivat afatmesëm të institucionit.

Pas prezantimit të tij në Kuvendin e Shqipërisë, çdo i interesuar do mund të gjejë një kopje të plotë të Raportit Vjetor 2023, në faqen tonë të internetit: http:/www.bankofalbania.org/.

  • Miratimin e një ndryshimi në rregulloren “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit’’

Ky ndryshim parashikon që për qëllime të llogaritjes së aktiveve të ponderuara me rrezikun, nga kategoria e ekspozimeve me rrezik të lartë, ku përfshihet edhe vlera e kredisë së akorduar jashtë territorit ku banka ushtron veprimtarinë nëpërmjet filialeve, degëve ose agjencive të saj, të përjashtohet nga ky trajtim vlera e kredisë së akorduar në Republikën e Kosovës.

  • Miratimin e shtypjes së një monedhe përkujtimore, për qëllime numizmatike, me tematikë “100 vjet Banka e Shqipërisë, 1925-2025”

Ky vendim përcakton tematikën dhe specifikimet teknike të monedhës përkujtimore, për qëllime numizmatike dhe pa kurs ligjor që Banka e Shqipërisë do të prodhojë për vitin 2025.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.