Dr. Ela Golemi

ela golemi 200 bsh 8746 0

Dr. Ela Golemi ka kryer studimet e larta universitare në degën Ekonomist për Industrinë pranë Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës më 1990 dhe studimet pasuniversitare (Master of Arts) për Administrim Publik, pranë Universitetit të Mannheim, Gjermani. Prej muajit shkurt 2016, ajo mban gradën Doktor i Shkencave Ekonomike nga Universiteti Europian i Tiranës. Aktualisht është Zëvendësdekane për Kërkimin Shkencor në Fakultetin e Biznesit, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës.

Karrierën profesionale e ka filluar në vitin 1990 duke punuar si financiere pranë NPV Durrës, për të vijuar gjatë periudhës 1994-1998, me koordinimin e marrëdhënieve të shoqërisë M.S.P Trade Concept shpk me furnitorët e huaj. Përvojën e punës në sektorin bankar e ka nisur në vitin 1998, si përgjegjëse për kryerjen e transaksioneve bankare jo-cash me klientët potencialë të Degës Durrës të Bankës Tirana.

Në vitet 2004-2007, zj. Golemi ka mbajtur postin e nënkryetares së Bashkisë të Durrësit, duke drejtuar proceset e hartimit dhe zbatimit të politikave fiskale dhe buxhetore të qytetit. Gjatë kësaj periudhe, ka udhëhequr procesin e përpilimit dhe implementimit të “Planit Strategjik për zhvillim ekonomik të qytetit të Durrësit, 2005-2015”.

Viti 2007 shënon rikthimin e zj. Golemi në sistemin bankar, këtë herë si drejtore Rajonale e Durrësit për Bankën Credins. Në të njëjtën kohë, nga viti 2008 ajo është angazhuar edhe si lektore me kohë të pjesshme pranë Departamentit të Shkencave Ekonomike, Universiteti “Aleksandër Moisiu”.

Aktiviteti i saj kërkimor dhe shkencor përqendrohet kryesisht në çështje që lidhen me stabilitetin e sistemit financiar dhe strategjitë rajonale të Ballkanit Perëndimor për integrimin në Bashkimin Evropian, për të cilat ka shkruar artikuj shkencorë të botuar në revista prestigjioze evropiane, ka marrë pjesë aktive në konferenca shkencore ndërkombëtare, simpoziume dhe shumë prezantime, disa prej tyre në universitetet më të mira në botë.

Ndër angazhimet e tjera të zj. Golemi mund të përmendim anëtarësinë në Rrjetin e Ekspertëve të Ekonomisë së Vendeve të Evropës Juglindore (nga viti 2009); në Këshillin e Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP), Universiteti i Durrësit (nga viti 2008); në Klubin Rotarian Durrës (prej vitit 2003). Në vitet 2005-2007, ka qenë anëtare e Bordit të Spitalit Rajonal Durrës.

Në 8 mars 2009, zj. Golemi është nderuar me titullin “Nderi i Punës” akorduar nga Bashkia Durrës dhe Shoqata Gruaja Moderne dhe Ekonomia.

Njeh mirë gjuhët angleze, italiane dhe franceze.

Dr. Ela Golemi është zgjedhur anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor 2011 dhe nga muaji gusht 2015 është anëtare edhe e Komitetit të Auditimit të Bankës së Shqipërisë.

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu